Dhunimi i gazetarit dhe grupit të xhirimit të Ora News në Kavajë, policia flet për shtyrje dhe ofendime
Policia e Tiranës ka regjistruar kallëzimin penal të gazetarit të Ora News Ronaldo Sharka, i cili bashkë me grupin e xhirimit u sulmuan fizikisht dje në Kavajë nga militantë të kryebashkiakut Veliaj.
"Më datë 18.04.2021, shtetasi R. Sh., 23 vjeç, kallzon se në Kavajë, persona të paidentifikuar e kanë shtyrë dhe ofenduar atë" njofton policia.
Por si duket policia e ka relativizuar pak ngjarjen ku flet për shtyrje dhe ofendime, në një kohë që gazetari kishte shenja të qarta në trup dhe fytyrë, pra ka pasur goditje. Bashkë me të u sulmua dhe operatori Ermal Noka me shoferin.
Në një reagim pas njoftimit të policisë gazetari Sharka thotë se në deklarimin e bërë në polici ka thënë se është dhunuar fizikisht dhe është kërcënuar dhe jo se është shtyrë dhe ofenduar.
Unioni i Gazetarëve dënon dhunën ndaj gazetarit dhe operatorit të Ora News: Veliaj të distancohet
Policia e Tiranës thotë se po punohet për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Takimi elektoral i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në Kavajë u shndërrua në akte të mirëfillta dhune ndaj grupit të xhirimit të Ora News dhe gazetarit Ronaldo Sharka.
Në një intervistë në studion e Ora News, gazetari Ronaldo Sharka tregoi të gjithë dinamiken e ngjarjes.
“Unë isha me mikrofon, me bexh, me logo, lehtësisht i identifikueshëm dhe i drejtohem zotit Veliajt, siç i tregohemi zakonisht, për pyetje të opinionit publik, por situata ishte shumë e rëndë dhe aty kuptova që diçka nuk shkonte. Nuk ishin truprojat e Veliajt, truprojat e bashkisë që e mbrojnë atë nga mediat. Kjo është bërë normale tashmë për mua dhe kolegë të tjerë. Por ishin njerëz që unë nuk i kisha parë kurrë. Nuk kishin bexh, nuk ishin policë, nuk ishin security“, tha Sharka.
Në fund, Sharka adresoi dhe një apel për organet ligjzbatuese.
“Pasi Veliaj mbaroi aktivitetin e tij, e prita. Bodyguardët e tij stepen dhe janë sërish këta njerëz që unë uroj policia të marrë masa, ti identifikojë. Njerëzit që më dhunojnë mua, operatorin dhe shoferin e Ora Neës. Unë nuk e di kush i ka organizuar këta të rinj“, apeloi gazetari Sharka.