Rreth një e treta e britanikëve do mund të nisin vaksinimin kundër Covid-19 nga java e ardhshme. Vendi ka miratuar përdorimin e vaksinës amerikano-gjermane të “Pfizer”.

Britania është bërë vendi i parë perëndimor, pas Rusisë dhe Kinës, që ka miratuar vaksinën kundër virusit të ri korona.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të mërkurën se qeveria angleze ka pranuar që vaksina amerikane anti-Covid e firmave “Pfizer” dhe “BioNTech” të përdoret në shkallë të gjerë.

Vaksina do nisë të shpërndahet në gjithë vendin duke nisur nga java tjetër, njoftoi ministria.

Nga të dhënat paraprake, ajo rrit imunitetin ndaj kovidit-19 në 95 për qind të rasteve.

Londra dhe dy kompanitë farmaceutike kanë rënë dakord për 40 milionë vaksina deri në vitin 2021, që të ndara në dy doza për pacient, mjaftojnë për rreth një të tretën e popullatës.

Grupet e para që do të kenë prioritet për marrjen e vaksinës pritet të jenë të moshuarit, personeli spitalor dhe personat me sëmundje të rënda klinike.

Britania numëron më shumë se 1,5 milion të infektuar nga Covid-19, bilanci i treti më i lartë në Europë, pas Francës dhe Spanjës, ndërkohë që virusi ka vrarë mbi 75 mijë britanikë.

Pas izolimit të ashpër për gjithë muajin nëntor, numri i infektimeve të përditshme është ulur ndjeshëm në rajonet më të prekura britanike.

Duke nisur nga e mërkura, vendi është ndarë sipas tri shkallëve të rrezikut.

40 për qind e britanikëve që jetojnë në nivelin e tretë, ku parashikohet mbyllja e bar-restoranteve, ndërkohë që në rang vendi është ndaluar shoqëria mes familjeve të ndryshme.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Europian ka nisur procedurat për miratimin e vaksinave më të njohura amerikane, por verifikimi i tyre pritet të marrë disa javë kohë ndërsa programi i gjerë i vaksinimit në shkallë kontinenti nuk parashikohet të nisë përpara janarit të vitit 2021.