VENEZUELA NË KAOS TOTAL/ Arrestimi i Maduros trondit Venezuelën, opozita shpall rikthimin
Venezuela ndodhet në një nga momentet më të rënda politike të historisë së saj. Ndërsa Delcy Rodríguez betohet si presidente e përkohshme pas arrestimit të Nicolas Maduros nga SHBA, udhëheqësja e opozitës Maria Corina Machado shpall rikthimin në vend dhe sfidon hapur pushtetin.

Venezuela po përjeton një tronditje politike historike.
Pas një operacioni të bujshëm amerikan, presidenti Nicolas Maduro u arrestua dhe u paraqit në një gjykatë në Nju Jork, ku refuzoi të pranojë fajësinë për akuza të rënda për narkoterrorizëm dhe trafik droge.
Në Karakas, parlamenti u mblodh në seancë të jashtëzakonshme, ku Delcy Rodríguez, zëvendëspresidente prej vitit 2018, u betua si presidente e përkohshme e vendit.
Ajo e quajti arrestimin e Maduros “rrëmbim” dhe “agresion ushtarak të paligjshëm” dhe u zotua se do të ruajë stabilitetin, paqen dhe rendin ekonomik të Venezuelës.
Ndërkohë, në Uashington, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të “drejtojnë përkohësisht Venezuelën” derisa të krijohen kushtet për një tranzicion të sigurt të pushtetit një deklaratë që ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare.
Por zhvillimi më i fortë politik vjen nga opozita. Udhëheqësja venezueliane Maria Corina Machado, duke folur për Fox News, tha se do të kthehet në Venezuelë “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Machado theksuar se Rodríguez është një nga arkitektet e represionit, korrupsionit dhe trafikut të drogës. Populli venezuelian e refuzon atë.
Machado deklaroi se opozita do të fitonte mbi 90% të votave në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe premtoi ta shndërrojë Venezuelën në qendrën energjetike të Amerikave, duke çmontuar strukturat kriminale që kanë shkatërruar vendin.
Ajo, fituese e Çmimit Nobel për Paqe 2025, u zotua gjithashtu të rikthejë në atdhe miliona venezuelianë të detyruar të emigrojnë.
Në Karakas, mijëra qytetarë dolën në mbështetje të Maduros dhe Rodríguez, ndërsa vendi përballet me një pasiguri të thellë politike dhe ekonomike. Venezuela sot qëndron mes dy realiteteve: një qeveri e përkohshme që kërkon të mbajë kontrollin dhe një opozitë që paralajmëron ndryshim të menjëhershëm.

