VENEZUELË, SHPRESË MES RRËNOJAVE/ Foshnja dhe gruaja shpëtohen, kërkimet vazhdojnë mes tragjedisë (VIDEO)

Mes rrënojave të tërmetit shkatërrues në Venezuelë vijojnë të dalin histori shprese. Një foshnjë e porsalindur dhe një grua janë nxjerrë të gjalla nga ekipet e shpëtimit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pa ndërprerje. Megjithatë, bilanci i katastrofës rëndohet nga ora në orë.

VENEZUELË, SHPRESË MES RRËNOJAVE/ Foshnja dhe gruaja

Mes zhurmës së makinerive dhe thirrjeve për ndihmë, Venezuela ka gjetur dy arsye për të mos humbur shpresën.

Një foshnjë e porsalindur dhe një grua janë nxjerrë të gjalla nga rrënojat e ndërtesave të shembura, duke u kthyer në simbolin e rezistencës mes katastrofës që ka goditur vendin.

Pamjet e shpëtimit të foshnjës nga La Guaira kanë bërë xhiron e botës, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë garën me kohën, me besimin se nën gërmadha mund të ketë ende të mbijetuar.

Por ndërsa shpresa mbetet gjallë, bilanci i tragjedisë vazhdon të rëndohet. Të paktën 235 persona kanë humbur jetën, mbi 4 mijë e 300 janë plagosur dhe dhjetëra mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur ose të pastrehë pas dy tërmeteve të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë që goditën Venezuelën.

Më të prekura janë Karakasi dhe qyteti bregdetar i La Guairas, ku qindra ndërtesa janë shembur ose kanë pësuar dëme të rënda. Shumë banorë e kanë kaluar natën në rrugë, nga frika e shembjeve të tjera, ndërsa lëkundjet pasuese vazhdojnë të tronditin zonën.

Nderkohe Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht sanksionet ndaj Venezuelës për të lehtësuar operacionet e ndihmës në zonat e goditura nga tërmeti.

Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa ndihma ndërkombëtare ka nisur të mbërrijë. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar ekipe kërkim-shpëtimi dhe ndihma humanitare, duke pezulluar përkohësisht një pjesë të sanksioneve për të lehtësuar operacionet në terren.

Ndërsa orët kalojnë, çdo zë që dëgjohet nën rrënoja është një arsye për të vazhduar kërkimet.  Për ekipet e shpëtimit, çdo jetë e nxjerrë gjallë mbetet fitorja më e madhe në mes të një tragjedie kombëtare.

EMISIONET