Trump vendos ultimatum/ Zelensky: Lufta duhet të përfundojë deri në qershor

SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës dhe Rusisë një ultimatum deri në qershor për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që ka zgjatur pothuajse katër vjet, deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky para gazetarëve.
Ai shtoi se, nëse afati nuk respektohet deri në qershor, qeveria e Trump pritet të ushtrojë presion mbi të dyja palët.
“Amerikanët propozojnë që palët të përfundojnë luftën deri në fillim të këtij vere, dhe ata ndoshta do t’i ushtrojnë palëve presion pikërisht sipas këtij kalendari,” tha Zelensky të premten para gazetarëve.
Fjalët e tij ishin nën embargo deri të shtunën në mëngjes. “Dhe ata thonë se duan ta mbyllin gjithçka deri në qershor. Dhe ata do të bëjnë gjithçka për t’i dhënë fund luftës. Dhe ata duan një kalendar të qartë për të gjitha ngjarjet,” shtoi ai.
Ai tha se SHBA-ja kishte propozuar që raundi tjetër i bisedimeve trilaterale të mbahej javën e ardhshme për herë të parë në SHBA, me shumë gjasa në Majemi. “Ne kemi konfirmuar pjesëmarrjen tonë,” shtoi Zelensky.
Afati i fundit vjen pas bisedimeve trilaterale të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi, të cilat nuk sollën ndonjë përparim, pasi palët e konfliktit vazhduan të qëndrojnë tek kërkesat e tyre të kundërta.
Rusia po i bën presion Ukrainës të tërhiqet nga Donbasi, ku luftimet vazhdojnë të jenë të ashpra – një kusht që Kievi sipas deklaratave të veta nuk do ta pranojë kurrë.
Fakti që bisedimet deri tani nuk kanë dhënë rezultate bëhet i qartë çdo natë: ushtria ruse vazhdon sulmet ajrore mbi qytetet ukrainase pa ndërprerje.
Natën e së shtunës ajo sulmoi sërish rrjetin energjetik ukrainas, duke rrezikuar një katastrofë humanitare për miliona ukrainas: ata mbeten pa energji dhe ngrohje në temperaturat ekstreme dimërore.


