Trump: SHBA do të marrë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe këtë herë do të paguhemi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të hënën se SHBA-ja po “merr kontrollin” e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, duke shtuar se Uashingtoni “do të paguhet për këtë”.
Në një ndërhyrje telefonike për FOX News, Trump tha se Shtetet e Bashkuara duhej ta kishin përballuar kërcënimin iranian “47 vjet më parë”.
“Po marrim kontrollin e ngushticës. Atyre nuk u ka mbetur më asgjë“, u shpreh presidenti amerikan. Ai shtoi se SHBA-ja synon ta mbajë nën kontroll ngushticën dhe, sipas tij, mund edhe ta administrojë atë.
“Do të bëhemi rojet e ngushticës dhe këtë herë do të paguhemi. E kemi mbrojtur për 50 vjet pa u paguar, tani do të fitojmë para“, deklaroi Trump.
Sipas presidentit amerikan, përfaqësuesit iranianë zhvilluan një ditë më parë negociata me Shtetet e Bashkuara, të cilat zgjatën 11 orë. Ai pretendoi se gjatë takimit ishte arritur marrëveshje për të gjitha çështjet, por më pas pala iraniane kërkoi ndryshime.
“U dakordësua gjithçka dhe pasi u larguan nga salla, telefonuan sërish duke thënë se duhej të bënin disa ndryshime“, tha Trump.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se Irani po pëson “goditje dërrmuese” në konfliktin me Shtetet e Bashkuara.
Ai pretendoi se Marina, Forcat Ajrore dhe kapacitetet raketore të Iranit janë pothuajse të neutralizuara. Trump shtoi gjithashtu se një numër drejtuesish iranianë janë vrarë gjatë konfliktit, pa paraqitur prova për këto pretendime.
Sipas raportimit të FOX News, Shtetet e Bashkuara vazhduan edhe të hënën sulmet ndaj objektivave iraniane, pasi Trump deklaroi gjatë fundjavës se armëpushimi me Iranin kishte “marrë fund”.


