Kosova regjistron 40 raste me fruth brenda dy muajsh, Ferizaj dhe Prishtina me numrin më të lartë!

Kosova regjistron 40 raste me fruth brenda dy muajsh, Ferizaj dhe Prishtina me

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 16 prill – 22 qershor janë konfirmuar gjithsej 40 raste me fruth në vend.

Sipas të dhënave të publikuara nga IKSHPK, numri më i madh i rasteve është regjistruar në komunën e Ferizajt me 11 raste, e ndjekur nga Prishtina me nëntë raste dhe Kaçaniku me gjashtë raste.

Ndërkaq, Fushë-Kosova ka raportuar tre raste, ndërsa Lipjani, Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi kanë regjistruar nga dy raste secila. Me nga një rast janë evidentuar komunat e Gjilanit, Drenasit dhe Deçanit.

Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast të paraqitjes së simptomave të dyshimta të fruthit.

Sipas IKSHPK-së, çdo person që shfaq temperaturë të lartë, skuqje ose ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, duhet të paraqitet sa më shpejt në institucionin më të afërt shëndetësor.

Autoritetet shëndetësore vijojnë të monitorojnë situatën epidemiologjike dhe apelojnë për respektimin e rekomandimeve mjekësore me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.

EMISIONET