TJETËR VR*SJE NË MINNEAPOLIS/ 37-vjeçari q*llohet gjatë operacionit federal

Një tjetër shtetas amerikan është vrarë nga agjentë federalë në Minneapolis gjatë një operacioni të zbatimit të ligjeve të emigracionit. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta, pasi dëshmitë video dhe familja e viktimës kundërshtojnë versionin zyrtar të vetëmbrojtjes. Dy javë më parë një grua amerikane u qëllua nga agjentët federalë të aktivizuar në mbështetje të punjësve të emigracionit

TJETËR VR*SJE NË MINNEAPOLIS/ 37-vjeçari q*llohet gjatë

Një tjetër incident vdekjeprurës me armë zjarri ka tronditur Minneapolis-in, ku agjentë federalë qëlluan për vdekje një shtetas amerikan gjatë një operacioni të zbatimit të ligjeve të emigracionit. Viktima është identifikuar si Alex Pretti, 37 vjeç, banor i qytetit dhe infermier me profesion.

Ngjarja ndodhi të shtunën në mëngjes, vetëm dy javë pasi Renee Nicole u qëllua për vdekje nga agjentët federalë.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, agjentët e Patrullës Kufitare hapën zjarr në vetëmbrojtje, duke pretenduar se Pretti kishte një armë zjarri dhe rezistoi kur ata tentuan ta çarmatosnin

Megjithatë, ky version është vënë në pikëpyetje nga dëshmitarë okularë, zyrtarë lokalë dhe familja e viktimës, të cilët theksojnë se ai mbante në dorë një telefon dhe jo një armë.

Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momente përpara të shtënave, ku Pretti shihet duke filmuar agjentët dhe duke u përfshirë në një përplasje fizike. Në pamje duket se ai përpiqet të mbrojë një grua që po spërkatej me sprej, ndërsa në dorën tjetër mban telefonin. Në asnjë moment të qartë nuk shfaqet një armë zjarri në duart e tij. Më pas, ai rrëzohet në tokë nga disa agjentë dhe dëgjohen rreth dhjetë të shtëna.

Pas ngjarjes, Departamenti i Sigurisë Kombëtare publikoi një fotografi të një arme, duke pretenduar se i përkiste Pretti-t.

Prindërit e viktimës kanë akuzuar administratën për “gënjeshtra tronditëse” dhe kanë kërkuar që e vërteta të bëhet publike. Ndërkohë, guvernatori i Minesotas dhe drejtues lokalë kanë bërë thirrje për largimin e agjentëve federalë nga qyteti. Ngjarja ka nxitur protesta të reja dhe ka rihapur debatin mbi përdorimin e forcës vdekjeprurëse gjatë operacioneve të emigracionit.

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, ka përshkruar situatën në Minneapolis si “kaos të ndërtuar” dhe të veçantë për këtë qytet. Ai tha se, sipas tij, kjo “është pasojë direkte e agitatorëve të majtë ekstrem, që punojnë me autoritetet lokale”, në një postim në platformën sociale X.

Vance ka akuzuar më parë udhëheqësit e Minnesotës se po pengojnë bashkëpunimin mes forcave lokale të zbatimit të ligjit dhe agjentëve federalë të ICE.

EMISIONET