The New York Times dhe Haaretz: Si u përfshi Ahmadinejad në një plan sekret të Izraelit

The New York Times dhe Haaretz: Si u përfshi Ahmadinejad në një

Një hetim i përbashkët i The New York Times dhe Haaretz ka hedhur dritë mbi një operacion sekret, sipas të cilit Izraeli kishte përgatitur një plan për ndryshimin e pushtetit në Iran. Në qendër të tij ishte ish-presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad, i cili, sipas rindërtimit të publikuar nga dy mediat, ishte konsideruar si figura që mund të drejtonte vendin në rast të rrëzimit të regjimit.

Sipas hetimit, gjithçka nisi në vitin 2022, kur shërbimet izraelite vunë re ndryshimin e qëndrimeve të Ahmadinejadit ndaj regjimit iranian.

Ish-presidenti, i njohur për retorikën e tij të ashpër kundër Izraelit gjatë viteve në pushtet, kishte nisur të kritikonte hapur disa politika të Teheranit, përfshirë programin bërthamor, të cilin e konsideronte tashmë një barrë për vendin.

Pas një periudhe vëzhgimi, ai u bë pjesë e një plani të Mossad-it. Sipas dokumenteve të cituara nga dy mediat, Izraeli e kishte identifikuar si kandidatin që mund të merrte drejtimin e Iranit nëse regjimi i ajatollahëve do të shembej pas një kryengritjeje popullore.

Plani nuk kufizohej vetëm te ndryshimi i udhëheqjes. Ai përfshinte edhe mbështetjen me armë dhe stërvitje të forcave kurde në Irak dhe grupeve të tjera që mund të hapnin fronte kundër regjimit iranian. Megjithatë, skenari i parashikuar nuk u realizua. Nuk pati kryengritje, kurdët nuk ndërmorën veprime ushtarake dhe regjimi iranian mbeti në këmbë.

Hetimi tregon se kontaktet e para mes Ahmadinejadit dhe inteligjencës izraelite nisën në vitin 2023 gjatë një konference për mjedisin në Guatemalë. Një tjetër takim u zhvillua në Budapest në vitin 2024, nën mbulesën e një aktiviteti për ndryshimet klimatike. Sipas raportimit, në organizimin e këtij takimi ishte përfshirë edhe drejtori i atëhershëm i Mossad-it, David Barnea, i cili mbështeti planin pavarësisht kundërshtimeve brenda strukturave ushtarake izraelite.

Në anën tjetër, drejtues të inteligjencës ushtarake dhe të sigurisë kombëtare izraelite e konsideronin operacionin me pak mundësi suksesi. Pak ditë para sulmit të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit urdhëroi pezullimin e aktiviteteve që lidhnin me këtë plan.

Sipas rindërtimit të The New York Times, kryeministri Benjamin Netanyahu ia kishte paraqitur planin presidentit amerikan Donald Trump, duke propozuar Ahmadinejadin si figurën që mund të zëvendësonte Ali Khamenein pas eliminimit të tij. Megjithatë, pas zhvillimeve në terren u bë e qartë se skenari i parashikuar nuk do të realizohej.

Raportimi përshkruan edhe fatin e paqartë të Ahmadinejadit. Ai ndodhej nën mbikëqyrjen e Gardës Revolucionare për shkak të kritikave ndaj regjimit, ndërsa gjatë sulmit të 28 shkurtit një bombardim izraelit goditi zonën ku mbahej. Sipas hetimit, objektivi ishte largimi i rojeve dhe nxjerrja e tij në një vend të sigurt.

Që prej asaj dite, Ahmadinejad u zhduk nga jeta publike dhe u rishfaq vetëm javën e kaluar në ceremoninë mortore të Ali Khameneit. Rrethanat e lëvizjeve të tij dhe ajo që ndodhi pas operacionit mbeten ende të paqarta, ndërsa as Izraeli dhe as Irani nuk kanë komentuar publikisht pretendimet e publikuara nga The New York Times dhe Haaretz.

EMISIONET