Qentë bëhen dëshmitarë martese në Ekuador, çiftet vendosin putrat e kafshëve në certifikata simbolike

Një trend i pazakontë po fiton popullaritet në Ekuador, ku kafshët shtëpiake po marrin rolin e dëshmitarëve simbolikë në ceremonitë civile të martesës. Një nga çiftet e para që përqafoi këtë ide ishte Diana Tupiza dhe Andres Alquinga, të cilët zgjodhën qenin e tyre të racës Pekinez, Luna, si dëshmitare të martesës.
Pas përfundimit të ceremonisë, Luna vendosi gjurmën e putrës në një certifikatë simbolike martese, në një hapësirë të posaçme me mbishkrimin “Gjurma e putrës së mikut tuaj me gëzof”, krahas firmave të çiftit dhe dëshmitarëve të tjerë.
Sipas të dhënave të regjistrimit të fundit të popullsisë, nga 19 milionë banorë që ka Ekuadori, rreth 7.6 milionë kanë qen ose mace si kafshë shtëpiake, pothuajse dyfishi i numrit të fëmijëve deri në moshën 12 vjeç.
Autoritetet vendase duket se e kanë përqafuar këtë realitet, duke lejuar organizimin e ceremonive të quajtura “pet friendly”, ku kafshët shtëpiake bëhen pjesë e ditës së martesës. Ideja ishte e dhëndrit, Andres Alquinga, dhe u mbështet menjëherë nga bashkëshortja e tij. Megjithatë, nëna e nuses fillimisht nuk ishte dakord.
“Është më mirë të zgjidhni dikë që e di se çfarë po firmos”, u kishte thënë ajo. Më vonë, megjithatë, ndryshoi mendim dhe madje përgatiti një fustan rozë prej tyli për Lunën, posaçërisht për ceremoninë.
Edhe pse gjurma e putrës nuk ka asnjë vlerë ligjore, iniciativa po bëhet gjithnjë e më popullore.
Sipas të dhënave të autoriteteve, që nga muaji maj, më shumë se 50 çifte në Ekuador kanë zgjedhur të martohen në praninë e kafshëve të tyre shtëpiake. “Ishte vërtet diçka spektakolare ta kishim Lunën me ne”, tha Diana. Ndërsa Andres shtoi: “Ata mund të mos flasin apo të na japin këshilla, por janë gjithmonë aty për të na dhënë gjithë dashurinë që kanë.”

