SHQIPËRIA, DESTINACIONI I VERËS/ Media spanjolle: Berati, Gjirokastra e Butrinti thesare të historisë shqiptare

Shqipëria po renditet mes destinacioneve më të preferuara të sezonit turistik veror, ndërsa mediat ndërkombëtare vijojnë ta promovojnë si një nga surprizat më të mëdha të Evropës.

Media spanjolle Noticias del Vino e përshkruan vendin si një destinacion që ndërthur plazhet me ujëra të kristalta, qytetet historike, peizazhet alpine dhe një mikpritje që vazhdon të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota.

Sipas artikullit, Riviera Shqiptare mbetet pika më e njohur turistike, me Ksamilin që cilësohet si “perla” e bregdetit falë ishujve të vegjël dhe ujërave të kthjellëta, ndërsa Dhërmiu rekomandohet për ata që kërkojnë një atmosferë më të qetë dhe autentike, larg turizmit masiv.

Media spanjolle ndalet edhe te pasuria historike e vendit, duke veçuar Beratin dhe Gjirokastrën, të dyja pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si edhe Parkun Arkeologjik të Butrintit, ku ndërthuren gjurmët e qytetërimeve greke, romake dhe bizantine në një peizazh unik natyror.

Artikulli vlerëson gjithashtu Alpet Shqiptare si një nga thesaret më pak të njohura të Ballkanit. Itinerari Theth–Valbonë cilësohet ndër më spektakolarët në rajon, ndërsa udhëtimi me traget në Liqenin e Komanit përshkruhet si një përvojë që rivalizon destinacionet më të njohura evropiane.

Vëmendje i kushtohet edhe Tiranës, e cila paraqitet si një kryeqytet modern, plot jetë dhe kontraste, ku ndërtesat shumëngjyrëshe, Bunk’Art dhe zona e Bllokut ofrojnë një përzierje mes historisë, kulturës dhe jetës urbane bashkëkohore.

Mes mrekullive natyrore përmenden Syri i Kaltër dhe Banjat Termale të Benjës, të cilat konsiderohen ndër atraksionet më të veçanta të jugut të vendit. Artikulli nënvizon se Shqipëria vazhdon të ofrojë përvoja autentike, me kosto më të ulëta krahasuar me shumë vende të tjera të Mesdheut.

Noticias del Vino shkruan se paragjykimet e së kaluarës nuk pasqyrojnë më realitetin, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend të sigurt për turistët. Sipas medias spanjolle, tradita e “Besës”, zhvillimi i shpejtë i infrastrukturës turistike dhe autenticiteti i destinacioneve e bëjnë vendin një nga zgjedhjet më premtuese për pushimet e verës 2026.

EMISIONET