TESLA RRËZOHET NGA FRONI/ Prodhuesi kinez BYD arrin mbi 2.25 milion shitje në vitin 2025
Kompania kineze BYD pritet të zërë vendin e parë në botë për shitjet vjetore të automjeteve elektrike, duke kaluar për herë të parë rivalin amerikan Tesla. Me mbi 2.25 milion automjete të shitura në vitin 2025 dhe rritje prej gati 28%, prodhuesi nga Shenzhen forcon rolin e tij si lojtar kryesor global, ndërsa Tesla përballet me rënie shitjesh, polemika politike dhe konkurrencë të fortë në treg.

Kompania kineze e prodhimit të makianve elektrike Build Your Dream ka raportuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke shitur 2.25 milion njësi. Kjo performancë e vendos kompaninë kineze përpara Teslës në renditjen globale të shitjeve vjetore të automjeteve elektrike, për herë të parë që kur dy gjigantët janë bërë rivalë kryesorë në tregun e mobilitetit elektrik.
Tesla pritet të publikojë shifrat zyrtare të shitjeve, por vlerësimet e analistëve sugjerojnë rreth 1.65 milion automjete për vitin 2025. Për kompaninë amerikane, viti ka qenë i vështirë për shkak të reagimeve të përziera ndaj modeleve të reja, polemikave që lidhen me veprimtarinë politike të Elon Musk dhe konkurrencës në rritje nga prodhuesit kinezë.
Për të ruajtur pozitat në tregun amerikan, Tesla prezantoi versione më të lira të dy modeleve të saj kryesore, pas kritikave se ishte vonuar në ofertat me çmime më të përballueshme.
Vetë Musk përballet me presion shtesë, pasi duhet të rrisë ndjeshëm shitjet dhe vlerën e kompanisë në bursë për të siguruar paketën rekord të pagesës së miratuar nga aksionarët, që mund të arrijë deri në 1 trilion dollarë.
Megjithëse BYD vijon të zgjerojë praninë e saj globale, ritmi i rritjes u ngadalësua në vitin 2025 për shkak të konkurrencës së ashpër në tregun kinez nga prodhues si XPeng dhe Nio.
Sidoqoftë, kompania mbetet një forcë dominuese falë politikës së çmimeve konkurruese dhe zgjerimit të shpejtë në Amerikën Latine, Azinë Juglindore dhe pjesë të Evropës, pavarësisht tarifave mbrojtëse ndaj automjeteve kineze.
Në tetor, BYD deklaroi se Mbretëria e Bashkuar ishte kthyer në tregun e saj më të madh jashtë Kinës, me rritje të shitjeve prej 880% deri në fund të shtatorit, të nxitur kryesisht nga kërkesa e lartë për versionin plug-in hybrid të modelit Seal U SUV.

