Tensionohet situata në Spanjë/ Katër akuza të rënda ndaj bashkëshortes së kryeministrit spanjoll

Tensionohet situata në Spanjë/ Katër akuza të rënda

Sistemi gjyqësor në Spanjë ka dhënë një goditje të fortë politike për qeverinë socialiste, duke urdhëruar zyrtarisht që Begoña Gómez, bashkëshortja e kryeministrit Pedro Sánchez, të dalë në gjyq. Ajo do të përballet me katër akuza të rënda që lidhen me aktivitetin e saj profesional.

Përveç dërgimit në gjyq, gjykata ka vendosur edhe masa të rrepta kufizuese ndaj Gómez, duke i ndaluar largimin nga Spanja, duke i sekuestruar pasaportën, si dhe duke e detyruar të paraqitet para autoriteteve gjyqësore dy herë në muaj.

Hetimet e udhëhequra nga gjykatësi Juan Carlos Peinado janë përqendruar te puna e Gómez në Universitetin "Complutense" të Madridit, ku ajo drejtonte një katedër universitare.

Sipas dosjes hetimore, ekzistojnë dyshime të bazuara se ajo ka shfrytëzuar pozicionin e saj si bashkëshortja e kryeministrit dhe aksesin në qarqet e larta qeveritare për të favorizuar projekte dhe partneritete private. Gjithashtu, nën dritën e verifikimeve është edhe mënyra se si janë menaxhuar fondet publike brenda këtyre aktiviteteve akademike dhe regjistrimi i markave tregtare të zhvilluara aty.

Gjykatësi Peinado ka vlerësuar se provat e mbledhura deri më tani janë më se të mjaftueshme për të nisur procesin gjyqësor.

Ky vendim e ka futur Spanjën në një vorbull të re tensioni midis qeverisë së majtë, opozitës dhe sistemit të drejtësisë. Ndërsa opozita po e shfrytëzon rastin për të rritur presionin mbi kryeministrin Sánchez, mbrojtja ligjore e Begoña Gómez i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke pretenduar se e gjithë çështja nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është e motivuar politikisht.

EMISIONET