Ndahet nga jeta Alan Greenspan / Arkitekti i politikës monetare amerikane vdes në moshën 100-vjeçare

Ndahet nga jeta Alan Greenspan / Arkitekti i politikës monetare amerikane

Një nga figurat më të rëndësishme të ekonomisë moderne amerikane, Alan Greenspan, është ndarë nga jeta në moshën 100-vjeçare. Lajmi për vdekjen e ish-kryetarit të Rezervës Federale të SHBA-së u konfirmua nga bashkëshortja e tij, gazetarja e NBC News, Andrea Mitchell.

Sipas familjes, Greenspan ndërroi jetë si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga sëmundja e Parkinsonit.

Greenspan drejtoi Rezervën Federale nga viti 1987 deri në vitin 2006, duke shërbyer nën disa administrata presidenciale amerikane dhe duke u shndërruar në një nga njerëzit më me ndikim në ekonominë botërore. Gjatë afro dy dekadave në krye të bankës qendrore amerikane, ai konsiderohej si arkitekti i periudhës së gjatë të rritjes ekonomike të SHBA-së gjatë viteve 1990.

I lindur në New York më 6 mars 1926, Greenspan fillimisht ndoqi një karrierë si muzikant xhazi, përpara se t'i përkushtohej ekonomisë dhe politikave financiare. Më vonë ai u bë një mbështetës i vendosur i tregut të lirë dhe ndërtoi një karrierë të suksesshme si këshilltar ekonomik, deri në emërimin e tij nga presidenti Ronald Reagan në krye të Rezervës Federale.

Gjatë mandatit të tij, ai u vlerësua për menaxhimin e krizave financiare dhe stabilizimin e tregjeve, por u përball edhe me kritika, veçanërisht pas krizës financiare globale të vitit 2008. Vetë Greenspan pranoi publikisht se kishte gabuar në bindjen se tregjet financiare do të vetërregulloheshin gjithmonë.

Pavarësisht debateve mbi trashëgiminë e tij ekonomike, Alan Greenspan do të mbahet mend si një nga figurat që ndikoi më shumë në politikën monetare amerikane të fund shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.

Gjatë karrierës së tij ai u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë dhe me titullin kalorës nderi nga Mbretëresha Elizabeth II.

EMISIONET