Tensionet përshkallëzohen në Ngushticën e Hormuzit/ SHBA godet Iranin për natën e tetë radhazi

Tensionet përshkallëzohen në Ngushticën e Hormuzit/ SHBA

Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re, me sulme të vazhdueshme ajrore amerikane ndaj objektivave iraniane. Ushtria amerikane ka zhvilluar natën e tetë radhazi operacione në Iran, duke goditur struktura të mbikëqyrjes bregdetare dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se në shënjestër kanë qenë edhe forcat e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, të cilat Uashingtoni i lidh me sulmin ndaj forcave amerikane në Jordani më 17 korrik, ku humbën jetën dy ushtarë amerikanë.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi nisjen e sulmeve të reja, duke bërë të ditur se operacionet synojnë të dobësojnë aftësinë e Iranit për të kërcënuar lëvizjen e anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe të godasin Gardën Revolucionare.

Agjencitë iraniane të lajmeve raportuan se sulmet amerikane prekën zona pranë qyteteve portuale në jug të vendit, përfshirë provincën Hormuzgan.

Sipas Uashingtonit, sulmet vijnë pas një goditjeje iraniane me raketa dhe dronë në Jordani, ku u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një tjetër rezultoi i zhdukur. Që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara raportojnë 16 ushtarakë të vrarë.

Nga ana tjetër, udhëheqja iraniane ka paralajmëruar kundërpërgjigje ndaj operacioneve amerikane. Teherani ka akuzuar SHBA-në për rikthim të armiqësive dhe ka raportuar viktima dhe dëme në disa zona të vendit.

Irani ka kryer gjithashtu sulme ndaj bazave të përdorura nga forcat amerikane në Jordani dhe ndaj instalimeve në Kuvajt. Autoritetet kuvajtiane kanë raportuar dëme në disa objekte të rëndësishme, përfshirë infrastrukturë energjetike dhe një impiant shkripëzimi uji.

Në qendër të krizës mbetet Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës. Pas përshkallëzimit të luftimeve, lëvizja e anijeve tregtare në këtë zonë është kufizuar ndjeshëm, duke rritur shqetësimet për ndikimin ekonomik të konfliktit.

EMISIONET