Të shtëna me a*më në konsullatën amerikane në Toronto, për herë të dytë brenda vitit

Policia e Torontos ka nisur hetimet pas të shtënave me armë zjarri pranë konsullatës amerikane në qytet, një incident që shënon rastin e dytë të tillë këtë vit.
Ngjarja ndodhi herët të hënën në mëngjes, rreth orës 04:45, kur një oficer policie i vendosur jashtë ndërtesës dëgjoi një të shtënë të vetme dhe pa një automjet të bardhë pa targa duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia tentoi një ndjekje të shkurtër me shpejtësi të lartë, por e ndërpreu atë për arsye sigurie. Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa ende nuk dihet numri i personave të përfshirë në sulm.
Oficerët gjetën një gëzhojë në vendngjarje dhe dëmtime në fasadën e ndërtesës së konsullatës. Zëvendësshefi i policisë së Torontos, Frank Barredo, tha se në momentin e incidentit brenda ndërtesës ndodheshin të paktën dy persona, por objekti është i fortifikuar dhe ata me shumë gjasë nuk e kanë dëgjuar të shtënën.
Hetimi po zhvillohet nga policia e Torontos në bashkëpunim me Policinë Mbretërore Kanadeze (RCMP) dhe partnerë ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit.
Jonathan Ko nga RCMP e cilësoi ngjarjen si “një tjetër incident shqetësues”, ndërsa kryebashkiakja e Torontos, Olivia Chow, e dënoi sulmin duke e quajtur “të paturpshëm”.
Ky është sulmi i dytë ndaj konsullatës amerikane në Toronto gjatë këtij viti. Në mars, një tjetër incident me të shtëna pranë ndërtesës u hetua si pjesë e një rrjeti më të gjerë armësh me pagesë, ndërsa disa persona u arrestuan më vonë.
Policia vijon kërkimin për autorët dhe ka bërë thirrje për çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit.



