Gafa në kartëmonedhën 2000 lekëshe/ Elida Zeko Miraj: Butrinti ka teatër, jo amfiteatër

Një ngatërrim historik që ka prekur edhe institucionet shqiptare është rikthyer në vëmendje nga pedagogia dhe studiuesja e arkitekturës Elida Zeko Miraj. E ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, ajo foli për rëndësinë e njohjes së saktë të trashëgimisë kulturore dhe gabimet që janë bërë ndër vite në identifikimin e monumenteve antike.

Në qendër të diskutimit ishte ngatërrimi mes teatrit të Butrintit dhe amfiteatrit të Durrësit, një dallim themelor në arkeologji dhe arkitekturë. Sipas Zekos, ky gabim ka hyrë edhe në komunikimin zyrtar, madje edhe në paraqitjen e mëparshme të kartëmonedhës 2000 lekëshe.

“Një person që drejtonte në ministri teatrin e Butrintit e quante amfiteatri i Butrintit. Studentët e mi të vitit të parë e dinë ndryshimin mes teatrit dhe amfiteatrit”, u shpreh Elida Zeko Miraj.

Ajo sqaroi se këto dy ndërtime kanë funksione dhe forma krejt të ndryshme. Teatri ka formë gjysmërrethore dhe përdorej për shfaqje, ndërsa amfiteatri ka formë eliptike dhe lidhet kryesisht me ndeshjet e gladiatorëve.

“Në Shqipëri deri më sot është zbuluar vetëm amfiteatri i Durrësit. Butrinti ka teatër. Gjërat duhen thënë me shumë precizion, sepse janë pjesë e trashëgimisë sonë”, tha pedagogia.

Sipas saj, amfiteatri i Durrësit është një monument me rëndësi të veçantë, i ndërtuar në fund të shekullit të parë ose në fillim të shekullit të dytë, në periudhën e perandorëve Trajan dhe Hadrian.

Datimi i tij lidhet edhe me krahasimet me ujësjellësin e qytetit, i cili mban gjurmë të periudhës së Hadrianit dhe paraqet një teknikë më të avancuar ndërtimi.

“Amfiteatri është shumë interesant si monument. Një pjesë e shkallares mbështetet në kodër dhe pas saj ndodhet një galeri e madhe. Është një ndërtim që lidhet shumë me mënyrën se si është zhvilluar qyteti antik i Durrësit”, tregoi Zeko Miraj.

Sipas saj, amfiteatri i Durrësit ishte ndërtuar për lojëra gladiatorësh dhe nuk ka dëshmi për përdorim të arenës për luftime me kafshë të egra apo beteja detare të inskenuara.

Historia e monumentit lidhet edhe me ndryshimet që pësoi ndër shekuj. Pas një tërmeti të fuqishëm në vitin 345 pas Krishtit, funksioni i tij si arenë u ndërpre, ndërsa më vonë një pjesë e strukturës u përshtat për një kapelë bizantine.

Elida Zeko Miraj solli edhe dëshmi për praninë e hershme të krishtërimit në Durrës, duke përmendur figurën e Shën Astit dhe gjurmët e besimit të hershëm të gjetura në monument.

“Te tullat e amfiteatrit ka kryqe të bëra para pjekjes, që do të thotë se janë vendosur që në momentin e prodhimit të tullave. Kjo tregon praninë e hershme të krishtërimit në këtë zonë”, tha ajo.

Sipas pedagoges, njohja e saktë e historisë dhe monumenteve është thelbësore për të ruajtur identitetin kulturor dhe për të shmangur deformimet në mënyrën se si trashëgimia i prezantohet publikut.

 

EMISIONET