TAJVANI FORCON MBROJTJEN! Synon mbi 1800 raketa deri në vitin 2029

Tajvani po rrit ndjeshëm arsenalin e raketave kundër anijeve për të forcuar mbrojtjen ndaj një pushtimi të mundshëm nga Kina. Strategjia sipas zyrtareve synon të kompensojë epërsinë ushtarake kineze me raketa precize dhe dronë.

TAJVANI FORCON MBROJTJEN! Synon mbi 1800 raketa deri në vitin 2029

Tajvani po përshpejton forcimin e kapaciteteve të tij mbrojtëse, duke synuar që deri në fillim të vitit 2029 të disponojë më shumë se 1.800 raketa kundër anijeve, në përpjekje për të penguar çdo bllokadë apo pushtim të mundshëm nga Kina.

Sipas një analize të Reuters, zgjerimi i arsenalit raketor është pjesë e strategjisë së re ushtarake të Tajvanit, e njohur si mbrojtja asimetrike.

Kjo qasje synon të kompensojë epërsinë e madhe ushtarake të Kinës përmes përdorimit të armëve më të lira, por shumë efektive, si raketat me precizion të lartë dhe dronët.

Zyrtarë aktualë dhe ish-ushtarakë tajvanezë thonë se objektivi është krijimi i një force që mund të mbijetojë pas valëve të para të sulmeve ajrore dhe raketore kineze dhe më pas të godasë flotën pushtuese ose anijet që do të përpiqeshin të vendosnin bllokadë rreth ishullit.

Në qendër të kësaj strategjie janë raketat amerikane Harpoon dhe raketat vendase Hsiung Feng II dhe Hsiung Feng III.

Ekspertët e mbrojtjes vlerësojnë se një numër i madh i këtyre armëve do t’i mundësonte Tajvanit të krijonte një “zonë vdekjeje” në Ngushticën e Tajvanit, ku forcat kineze do të përballeshin me humbje të konsiderueshme në rast të një operacioni amfib.

“Qëllimi ynë nuk është të shkatërrojmë çdo anije kineze, por të ndalojmë zbarkimin dhe realizimin e misionit të tyre”, deklaroi Ou Si-fu, zëvendësdrejtor i Institutit për Kërkime të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare në Tajvan.

Sipas të dhënave të Reuters, Tajvani ka marrë deri tani rreth 450 raketa Harpoon të prodhuara në SHBA. Një tjetër dërgesë prej 400 raketash pritet të përfundojë deri në mars të vitit 2029. Nëse afatet respektohen, arsenali i raketave Harpoon do të arrijë në 850 njësi.

Paralelisht, industria vendase e mbrojtjes po prodhon rreth 1.000 raketa Hsiung Feng, duke e çuar numrin total të raketave kundër anijeve në afro 1.850 deri në fund të dekadës.

Tajvani po studion gjithashtu përvojat e luftës në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.

Tensionet mes Pekinit dhe Taipeit kanë mbetur të larta gjatë viteve të fundit. Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta vënë ishullin nën kontroll.

EMISIONET