Sondazhi: Netanyahu rrezikon pushtetin, 60 % nuk e duan

Sondazhi: Netanyahu rrezikon pushtetin, 60 % nuk e duan

Shumica e izraelitëve nuk e konsiderojnë kryeministrin Benjamin Netanyahu si një figurë të besueshme, sipas një sondazhi të realizuar nga Channel 12.

Të dhënat e publikuara tregojnë se 60 për qind e të anketuarve deklarojnë se nuk kanë besim te Netanyahu, ndërsa vetëm 38 për qind shprehen se i besojnë atij. Sipas raportimeve të “Times of Israel”, rezultatet tregojnë një perceptim më pozitiv për disa prej rivalëve politikë të kryeministrit.

Ish-shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, i cili konsiderohet një nga kundërshtarët kryesorë politikë të Netanyahut, shihet si një person i besueshëm nga 54 për qind e të anketuarve, ndërsa 29 për qind shprehen se nuk kanë besim tek ai.

Ndërkohë, ish-kryeministri Naftali Bennett, një tjetër figurë politike që synon të sfidojë Netanyahun në zgjedhjet e ardhshme, vlerësohet si i pabesueshëm nga 53 për qind e qytetarëve, ndërsa 41 për qind deklarojnë se i besojnë atij.

Sondazhi ka nxjerrë gjithashtu në pah se gati dy të tretat e izraelitëve besojnë se nismat e fundit ligjore të koalicionit qeverisës do të ndikojnë në zgjedhjen e tyre politike.

Mes çështjeve më të debatuara janë edhe projektligjet që lidhen me përjashtimin e burrave haredi (hebrenjve ultra-ortodoksë) nga shërbimi ushtarak, një temë që ka shkaktuar përplasje të forta në shoqërinë izraelite.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Izrael pritet të zhvillohen jo më vonë se 27 tetor 2026, ku qytetarët do të zgjedhin 120 anëtarët e Knessetit, parlamentit të vendit.

EMISIONET