REPORTAZHI/ Nga Porta e Diellit te laboratori i së ardhmes: Gerace kërkon të rilindë përmes artit dhe restaurimit (FOTO+VIDEO)
GERACE (Kalabri) – Kush do ta kishte menduar se në Gerace, një borg mesjetar me rreth 2.700 banorë, i vendosur në hyrje të Parkut Kombëtar të Aspromontes, do të ngrihej jo vetëm katedralja më e madhe e Italisë së Jugut, por edhe një projekt i aftë të ndryshojë të ardhmen e restaurimit të trashëgimisë kulturore në këtë pjesë të vendit?
Nga aeroporti i Lamezia Terme mjafton pak më shumë se një orë udhëtim për të mbërritur në Gerace. Rruga përshkon peizazhet e Parkut Kombëtar të Aspromontes dhe, papritur, mbi një kodër 470 metra mbi nivelin e detit, shfaqet një qytet që duket sikur qëndron pezull mes qiellit dhe tokës.
Gerace është një nga borgjet mesjetare më të bukura dhe më të ruajtura të Italisë. Nga larg të jep përshtypjen e një qyteti-fortesë, të mbrojtur nga muret e lashta dhe portat monumentale që dikur kontrollonin hyrjet e tij.
Më e njohura është Porta del Sole, Porta e Diellit. E kthyer nga lindja, ajo ka qenë për shekuj porta nga ku hynin tregtarët, pelegrinët e udhëtarët që vinin nga bregdeti jonian. Bashkë me Porta del Borghetto dhe Porta dell'Acquarone formonte sistemin mbrojtës të qytetit mesjetar. Sot, Porta e Diellit vazhdon të mirëpresë vizitorët, jo më për t'i mbrojtur nga pushtuesit, por për t'i ftuar të zbulojnë një qytet ku historia nuk është kthyer në muze, por vazhdon të jetojë.

Emri Gerace vjen nga fjala greke hierax, që do të thotë skifter. Legjenda rrëfen se ishte pikërisht fluturimi i këtij shpendi që udhëhoqi banorët e qytetit antik të Lokrit drejt kësaj kodre, ku në shekullin VIII u themelua qyteti.
Gerace njihet edhe si "qyteti i njëqind kishave". Në periudhën bizantine dhe më pas në atë normane ishte një nga qendrat më të rëndësishme fetare të Kalabrisë. Sot kanë mbetur vetëm shtatëmbëdhjetë kisha, por secila prej tyre dëshmon rëndësinë që kjo qytezë pati për shekuj me radhë.
Në zemër të saj ngrihet Katedralja e Santa Maria Assunta, monumenti kishtar më i madh i Italisë së Jugut dhe një nga veprat më të rëndësishme të arkitekturës normane në Mesdhe.
Por Gerace nuk është vetëm histori.

Në Piazza del Tocco ka gjallëri edhe pse është orë dreke. Në tavolinat e lokaleve dëgjohen dialekte të Kalabrisë, italishtja e veriut dhe gjuhë të ardhura nga vende të ndryshme të botës.
Shumë prej atyre që takon janë banorë të lindur këtu, por që emigruan dekada më parë në Torino, Milano apo Gjermani dhe rikthehen çdo verë në shtëpitë e tyre. Ka edhe turistë nga Evropa, madje edhe nga Silicon Valley në Kaliforni.
Mes tyre takoj Kozimon, 83 vjeç.
Ai u largua nga Gerace kur ishte vetëm trembëdhjetë vjeç.
"Pse ika? Sepse babai punonte në Torino", kujton ai.
"Kur vinte të na takonte neve fëmijëve, unë i fusja fshehurazi në valixhe dy palët e vetme të rrobave që kisha. Ai nuk e dinte. Derisa një ditë vendosi të më merrte me vete."
Sot jeta e tij është ndarë mes veriut dhe jugut.
"Tani kam dy shtëpi në Gerace. Çdo verë vijmë këtu me bashkëshorten, tre vajzat dhe nipërit. Qëndrojmë gjithë pushimet e më pas kthehemi në Torino."

Në barin qendror të qytetit Giuseppe, kamarieri me dialektin karakteristik kalabrez, na sugjeron të provojmë një specialitet vendas: *Schurubet*, ose sherbetin.
Emri tingëllon menjëherë i njohur edhe për shqiptarët. Ashtu si tek ne, edhe këtu fjala vjen nga ndikimi osman.
Është një pije e freskët me akull të grirë, limon dhe ujë tonik. Një shije që freskon vapën e verës kalabreze dhe që u bë e njohur edhe falë këngës "Schurubet" të kantautorit kalabrez Brunori Sas.
Mikpritja e banorëve ndihet në çdo pjatë të mbushur me gatime tradicionale. Askush nuk kursen buzëqeshjen dhe kohën për një bisedë.
Këtu jeta ecën ndryshe.
Nuk ka zhurmën e metropoleve, ritmin e ethshëm të trafikut apo nxitimin që ka pushtuar qytetet moderne. Gerace të kujton se ekziston ende një mënyrë tjetër për të jetuar.
Në bashki na pret kryetari i komunës Rudi Lizzi. I ri në moshë, ai mbërrin me biçikletë.
"Është mjeti që përdor çdo ditë për të ardhur në punë", thotë duke buzëqeshur.
Por sfida e Geraces nuk është vetëm ruajtja e së shkuarës. Ambicia është të ndërtojë të ardhmen.
Pikërisht këtu po merr jetë një projekt që mund ta shndërrojë këtë borg historik në qendrën më të rëndësishme të restaurimit të trashëgimisë kulturore në Italinë e Jugut.

Në oborrin e Katedrales së Santa Maria Assunta takojmë Giuseppe Mantellën, restaurator veprash arti dhe drejtor i Cittadella Vescovile di Gerace.
"Ky është një vend me një histori të jashtëzakonshme", thotë ai duke treguar absidat e katedrales.
"Restaurimi i përfunduar së fundmi na ka lejuar të zbulojmë elemente të panjohura më parë. Kjo ndërtesë rrëfen historinë e Magna Graecias, të romakëve, bizantinëve dhe normanëve. Çdo gur është dëshmi e qytetërimeve që kanë kaluar këtu."
Mantella shpjegon se Katedralja e Santa Maria Assunta është monumenti kishtar më i madh i Italisë së Jugut dhe një nga ndërtesat më të rëndësishme të arkitekturës normane në Mesdhe.
Por projekti që ai drejton shkon shumë përtej restaurimit të një monumenti.

"Ëndrra jonë është të krijojmë laboratorin më të madh shkencor të restaurimit në Italinë e Jugut. Një qendër ku do të bashkohen restaurimi, kërkimi shkencor, universitetet dhe studentët."
Prej dhjetë vitesh, falë bashkëpunimit me dioqezën, bashkinë dhe universitetet italiane, në Gerace zhvillohet një Summer School ku studentët e restaurimit kryejnë praktikën profesionale mbi monumentet e qytetit.
"Ne duam që Gerace të mos jetojë vetëm gjatë verës", shpjegon Mantella.

"E imagjinoj të mbushur me studentë, restauratorë dhe studiues gjatë të 365 ditëve të vitit. Një qytet ku kultura bëhet motor zhvillimi."
Lidhja e tij me Shqipërinë është po aq e fortë.
Mantella sapo është kthyer nga projektet arkeologjike në Adrianopol dhe Antigone, ku bashkëpunon me institucionet shqiptare dhe Universitetin e Maceratës në projekte evropiane për valorizimin e trashëgimisë kulturore.
Në fund ai ka edhe një ftesë.
"Në Gerace ka ende shumë shtëpi në shitje. Ejani t'i blini. Ejani të jetoni këtu. Ky është një qytet me një histori të jashtëzakonshme dhe me një të ardhme që sapo ka filluar të ndërtohet."

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Gerace mbetet një nga surprizat më të bukura të Kalabrisë.
Këtu gjen historinë e jugut të Italisë, kishat, kështjellat, panoramën që zbret deri në Detin Jon, mikpritjen e njerëzve dhe shijen autentike të kuzhinës tradicionale.
Por mbi të gjitha gjen një luks që sot është bërë i rrallë: kohën.
Kohën për të ecur pa nxitim nëpër rrugicat prej guri, për të biseduar me banorët, për të dëgjuar historitë e tyre dhe për të kuptuar se ka vende ku e shkuara nuk pengon të ardhmen. Përkundrazi, e ndërton atë.




