Shtëpia e Bardhë: Kina duhet të kërkojë fundin e pushtimit rus në Ukrainë
Nëse Kina dëshiron të luajë një rol konstruktiv në çështjen e Ukrainës, presidenti Xi Jinping duhet t'i kërkojë të fortit të Kremlinit, Vladimir Putin, t'i japë fund pushtimit rus të Ukrainës, tha sot John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Udhëheqësit e Kinës dhe Rusisë u përqendruan në bashkëpunimin strategjik midis vendeve të tyre, duke kritikuar Perëndimin, ndërsa diskutuan një plan paqeje prej 12 pikash për t'i dhënë fund armiqësive në Ukrainë, të cilin Pekini e prezantoi në fund të shkurtit.
Kirby theksoi se administrata amerikane nuk dëshiron thjesht një armëpushim në Ukrainë, sepse kjo do t'i lejonte Rusisë të ruajë fitimet territoriale që ka bërë dhe të rindërtojë forcat e saj.
"Armëpushimi në këtë fazë", pa tërheqjen e forcave ruse nga territoret që ata kanë pushtuar, "në thelb i jep atij (presidentit Putin) kohën dhe hapësirën që i nevojitet për të ripajisur dhe për të rikthyer (forcat e tij)" për humbjet, shpjegoi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.