Nis turneu më i madh i FIFA-s/Lundra: Faza e parë do jetë rutinë, "makth" distancash dhe orari

Kupa e Botës 2026 pritet të jetë turneu më i madh në historinë e organizuar nga FIFA, por pas shifrave marramendëse të 48 kombëtareve pjesëmarrëse fshihen detaje që mund të zbehin magjinë e këtij kompeticioni. Sipas analistëve sportivë, faza e parë e këtij kampionati mund të kthehet në një rutinë të mërzitshme, pasi rritja e numrit të ekipeve ul ndjeshëm cilësinë dhe konkurrencën në fushën e blertë.
Një theks i veçantë vihet te formati i ri, i cili përfshin 12 grupe me nga 4 skuadra. Kalimi i dy ekipeve të para dhe i tetë vendeve të treta më të mira e bën kualifikimin e kombëtareve pretendente pothuajse të sigurt, duke eliminuar emocionet e përballjeve direkte që në fazat e hershme. Rrjedhimisht, spektakli i vërtetë pritet të nisë vetëm pas raundeve eliminatore.
Një tjetër problematikë madhore që do të prekë drejtpërdrejt adhuruesit e futbollit në Evropë është orari i ndeshjeve. Për shkak të zhvillimit të turneut në tre shtete të ndryshme.Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë tifozëve do t'u duhet të sakrifikojnë gjumin. Ndeshjet janë planifikuar të luhen në orare ekstreme që variojnë nga mesnata, ora 1:00, 4:00, e madje deri në orën 6:00 të mëngjesit, duke krijuar një çrregullim të vërtetë për ndjekësit besnikë.
Gazetari, Dritan Lundra i ftuar në emisionin ‘’Sport Focus’’ në Ora News u shpreh se zgjerimi i Kupës së Botës në 48 skuadra e ul cilësinë dhe konkurrencën e turneut, sepse shumë ekipe të forta e kanë pothuajse të sigurt kualifikimin nga grupet dhe ndeshjet e fazës së parë bëhen më pak konkurruese.
Ai theksoi gjithashtu se kampionati do të bëhet vërtet interesant vetëm në fazën e eliminimit direkt, kur përballen skuadrat më të forta.
"Shumë ekipe, shumë përballje. Një pjesë e parë, për mendimin tim, do të jetë rutinë e plotë. Dhe pastaj, kur fillon eliminimi direkt, atëherë do të fillojë realisht kampionati botëror.
Një botëror me 48 skuadra është pak i vështirë, për të mos thënë i pamundur, që të dali një nga këto ekipet e vogla që të shkojë të pretendojë. Megjithatë, duke qenë se futbolli është sporti më i bukur, më i dashur në të gjithë botën, është kënaqësi që të kesh sa më shumë skuadra që të marrin pjesë në Kupën e Botës.
Ajo është për ne që vuajmë nga pagjumësia, që për ta ndjekur... Është një çrregullim i tejskajshëm i orareve të ndeshjeve. Pra ke në 9:00 të darkës, flas gjithmonë me orën tonë, në orën 12:00, në orën 1:00, në orën 4:00, në orën 6:00 të mëngjesit që fillojnë.
Në orën 19:00 ka ndeshje. Pra, nuk është se ti mund të bësh një plan, siç është në Evropë, që një ndeshje është në 6:00, tjetra në 9:00. Megjithatë, distancat janë shumë të mëdha.
Fundja-fundit, i jep një kënaqësi dhe atyre shteteve të vogla siç është Kurasao apo ndonjë kombëtare tjetër, për të marrë pjesë. Ashtu sikur do të ishte, në qoftë se do të merrnim dhe ne pjesë"-tha ai.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE



