SHBA: Rusia vazhdon të jetë aktive në luftën kibernetike kundër Ukrainës
Operacionet kibernetike të Rusisë në Ukrainë mund të mos kenë patur një ndikim aq të madh sa ç’mund të kenë parashikuar ekspertët pas fillimit të luftës vitin e kaluar, por zyrtarët e lartë amerikanë paralajmërojnë se kjo nuk është arsye për të nënvlerësuar aftësitë kibernetike të Moskës.
Në vend të kësaj, zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se ekspertët rusë të luftës kibernetike mbeten të angazhuar në përpjekjet e tyre kundër Ukrainës, ndërsa mësojnë nga çdo sulm dhe përgatiten, ndoshta, për të zgjeruar operacionet e tyre përtej kufijve të Ukrainës.
“Në fushën kibernetike, unë mendoj se njerëzit e kanë nënvlerësuar rolin e Rusisë, si në rastin Viasat apo ato të 9 ose 10 llojeve të ndryshme të viruseve fshirëseve krejtësisht të reja, unike që janë hedhur nga rusët në atë ekosistem”, tha Rob Joyce, drejtor i sigurisë kibernetike në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, gjatë një diskutimi të martën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
“Ka sulme të vazhdueshme ndaj interesave të Ukrainës, qofshin ato financiare, qeveritare, personale, individuale dhe atyre të biznesit që kanë për qëllim të krijojnë pengesa”, shtoi ai.
Rob Joyce nuk është i vetëm në vlerësimin e tij mbi rreziqet e vazhdueshme nga operacionet kibernetike të Rusisë.
“Ne nuk kemi parë në të vërtetë ndonjë ngadalësim të operacioneve kibernetike ruse”, u tha gazetarëve në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë i mbrojtjes në fund të muajit të kaluar.
“Është një luftë e vazhdueshme mes Rusisë dhe atyre që po mbrojnë rrjetin ukrainas”, tha zyrtari. “Ne shohim dhe kemi informacion mbi përpjekjet për të vazhduar komprometimin e rrjeteve të ndryshme të Ukrainës, duke përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe infrastrukturën kritike.”
Javë më parë, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Paul Nakasone u tha ligjvënësve se aktivitetet kibernetike të Moskës kundër Ukrainës mbeten nën vëzhgim intensiv.
“Në asnjë mënyrë kjo (angazhimi kibernetik i Rusisë në Ukrainë) nuk ka përfunduar”, tha ai.
Zyrtarët ukrainas kanë shprehur gjithashtu shqetësim të shtuar, duke vënë në dukje se ritmi i sulmeve kibernetike ruse është rritur, megjithëse Moska po punon për të koordinuar më mirë operacionet kibernetike me sulmet konvencionale ushtarake.
Zoti Joyce tha të martën se është dakord me vlerësimin se ka një përmirësim të aftësive të Rusisë në fushën e kibernetikës.
“Ka gjëra krijuese që po ndodhin”, tha ai gjatë diskutimit në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
“Ne po shoshim hakerët rusë që ndërhyjnë në kamerat kompjuterëve të lidhur me internet për të parë autokolona dhe trena që transportojnë ndihmat”, tha zoti Joyce. “Ata po ndërhyjnë edhe në kamerat e sigurisë të kafeneve dhe ndjekin aktivitetet në rrugët që ata duan t’i monitorojnë.”
Zoti Joyce paralajmëroi gjithashtu se operacionet kibernetike të Rusisë kanë kërcënuar kompanitë amerikane.
umica e presionit është në bazën industriale të mbrojtjes dhe kompanitë e transportit logjistik që po transportojnë ndihmat ushtarake në Ukrainë”, tha ai. “Ata janë nën presionin e përditshëm nga rusët.”
Operacionet kibernetike të Kinës
Zyrtari i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Rob Joyce shprehu gjithashtu shqetësimin në lidhje me aftësitë kibernetike gjithnjë në rritje të Kinës.
“Kemi një numër të madh të kërcënimeve jo të sofistikuara nga kinezët, por ata kanë gjithashtu njësi elitare me mjete dhe aftësi shumë të sofistikuara”, tha ai. “Shqetësimi është se ata janë në gjendje të shkallëzojnë kërcënimet dhe të përdorin grupet elitare, konceptet dhe mjetet e sofistikuara në një hapësirë shumë më të madhe.”
Sa i përket mënyrës sesi mund të shfrytëzohet kjo nëse Kina vendos të pushtojë Tajvanin, zoti Joyce inkurajoi kompanitë e sektorit privat që të fillojnë përgatitjet që tani.
“Nuk duhet të filloni të bëni plane për këtë një javë para fillimit të sulmit (të Kinës ndaj Tajvanit). Nuk duhet të prisni derisa Shtëpia e Bardhë të lëshojë një paralajmërim për këtë”, tha ai.