SHBA-ja thellësisht e shqetësuar për zgjatjen e masës së paraburgimit për gazetaren Kurmasheva në Rusi
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë e ka kritikuar vendimin e një gjykate në Rusi për të zgjatur masën e paraburgimit për gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva deri më 5 qershor.
Sipas Ambasadës, shtypja që po u bën shteti mediave të pavarura është “e papranueshme”, Kurmasheva, gazetare në selinë e Radios Evropa e Lirë në Pragë, e cila ka shtetësi amerikane dhe ruse, është në paraburgim në Rusi prej 18 tetorit të vitit të kaluar nën akuzat për shkelje të të ashtuquajturit ligjit për “agjentët e huaj”. Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria amerikane besojnë se akuza është hakmarrje për punën e saj si gazetare për Radion Evropa e Lirë.
Ajo ka udhëtuar në Rusi për të vizituar nënën e saj të sëmurë dhe fillimisht është ndaluar sa ka qenë duke pritur për fluturimin e kthimit, më 2 qershor, në një aeroport në Kazan të Rusisë, ku i janë konfiskuar pasaportat. Një gjykatë në Kazan ia ka vazhduar asaj më 1 prill masën e paraburgimit edhe për dy muaj, dhe e ka refuzuar kërkesën e avokatëve të Kurmashevas për shndërrim të masës në arrest shtëpiak.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për ndalimin e Alsu Kurmashevas në Federatën Ruse, masë që e ka vazhduar gjykata”, ka thënë ambasadorja amerikane Lynne Tracy përmes një postimi në X, të njohur më parë si Twitter.
“Do të vazhdojmë të kërkojmë qasje konsulore. Shkelja që po u bën Kremlini lirisë së mediave në Rusi është e papranueshme”.
Para vendimit të gjykatës, Kurmasheva u ka thënë gazetarëve se nuk ndihet “shumë mirë fizikisht” dhe se kushtet e jetesës janë “shumë të këqija”. Ajo ka thënë se po i ofrohet kujdes “minimal” shëndetësor dhe se kushtet në qelinë e saj janë primitive.
Kurmasheva, 47-vjeçare, është arrestuar në Kazan të Rusisë, në tetor të vitit të kaluar, dhe është akuzuar kinse për dështim që të regjistrohet si agjente e huaj, sipas ligjit rus që shënjestron gazetarët, aktivistë të shoqërisë civile, dhe pjesëtarë tjerë të shoqërisë ruse.