SHBA godet objektiva ushtarake në Iran pas incidentit në Ngushticën e Hormuzit

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore ndaj disa objektivave ushtarake në Iran, pas një incidenti në Ngushticën e Hormuzit dhe akuzave për shkelje të armëpushimit në rajon.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njofton se janë goditur depo raketash, infrastrukturë dronësh dhe pozicione radarësh bregdetarë.
Sipas autoriteteve amerikane, operacioni erdhi si përgjigje ndaj sulmit ndaj anijes tregtare “Ever Lovely”, me flamur të Singaporit, e cila u godit pranë portit të Dahit në Oman.
SHBA e konsideron këtë ngjarje si rrezik për lirinë e lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë.
Nga ana tjetër, Irani ka mohuar akuzat dhe ka thënë se anija ka ndjekur një rrugë të paautorizuar në zonë, ndërsa sulmet amerikane janë shkelje e marrëveshjes së armëpushimit.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ka bërë të ditur se ka goditur disa pozicione amerikane në rajon, por pa dhënë detaje mbi dëmet.
Ngjarjet kanë rritur tensionet në Ngushticën e Hormuzit, një nyje kyçe për transportin global të naftës dhe gazit, duke ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Zyrtarët amerikanë thonë se çdo sulm ndaj anijeve tregtare shkel marrëveshjen e armëpushimit të arritur më 17 qershor, e cila parashikonte kalim të sigurt për anijet në zonë për një periudhë 60-ditore.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance paralajmëroi se çdo dhunë do të marrë përgjigje, ndërsa Presidenti Donald Trump tha se hapat e ardhshëm të SHBA-së do të bëhen publikë në kohën e duhur.
Irani nga ana e tij ka akuzuar SHBA-në për shkelje të armëpushimit dhe ka paralajmëruar pasoja në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.


