Stuhia e fuqishme godet Zelandën e Re/ Mijëra banorë pa energji elektrike mes përmbytjeve

Stuhia e fuqishme godet Zelandën e Re/ Mijëra banorë pa energji

Mijëra banorë në Zelandën e Re kanë mbetur pa energji elektrike pas një sistemi të fuqishëm me presion të ulët që përfshiu pjesën më të madhe të vendit, duke sjellë reshje intensive, erëra të forta, përmbytje dhe rrëshqitje dheu.

Sipas kompanisë Powerco, janë raportuar mbi 3,000 ndërprerje të furnizimit me energji në zona të ndryshme, përfshirë edhe kryeqytetin Wellington, i cili u godit nga stuhitë më të forta.

Shërbimi meteorologjik njoftoi se pas rreth 24 orësh me mot të rënduar, kushtet atmosferike po përmirësohen gradualisht.

Megjithatë, autoritetet kanë kërkuar kujdes të shtuar për shkak të mbetjeve në rrugë, zonave të përmbytura dhe rrezikut të vazhdueshëm të rrëshqitjeve të dheut, veçanërisht në rajonin e Wellingtonit.

Probleme serioze janë raportuar edhe në transportin ajror.

Rreth 200 fluturime drejt dhe nga Wellingtoni janë anuluar, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar.

Në qytetin Lower Hutt janë evidentuar rrugë të përmbytura dhe të paktën dy rrëshqitje dheu, të cilat kanë vështirësuar qarkullimin.

Zelanda e Re është përballur edhe më herët me fenomene të ngjashme. Në fillim të vitit, reshjet e dendura shkaktuan një rrëshqitje dheu në një kamping në Ishullin e Veriut, ku humbën jetën gjashtë persona.

EMISIONET