Behgjet Pacolli reagon pas rikthimit të punimeve në Aeroportin e Vlorës: Kantieri i gjetur i dëmtuar dhe me mungesa materialesh

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar në lidhje me situatën në kantierin e Aeroportit të Vlorës, duke denoncuar dëmtime dhe mungesa materiale që, sipas tij, janë konstatuar pas rikthimit të punimeve.
Në një postim në Facebook, ai shprehet se objekti i terminalit dhe godinave përcjellëse është gjetur i dëmtuar rëndë, pas disa javësh ndërprerje dhe përplasjeve për administrimin e kantierit.
Sipas tij, janë dëmtuar pajisje, sisteme teknike dhe struktura të ndryshme, ndërsa një pjesë e materialeve mungojnë.
Pacolli e cilëson situatën si shqetësuese për ecurinë e projektit dhe kërkon që institucionet përgjegjëse të kryejnë hetime për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë.
Ai shton se pavarësisht dëmtimeve dhe pengesave, punimet do të vijojnë dhe aeroporti do të përfundojë sipas planit.

