Rusia vendos kufizime të reja për dronët dhe avionët privatë pranë Moskës!

Rusia vendos kufizime të reja për dronët dhe avionët

Autoritetet ruse kanë vendosur kufizime të reja për fluturimet e avionëve të vegjël privatë dhe dronëve në Moskë dhe rajonet përreth, në një përpjekje për të rritur sigurinë ajrore mes sulmeve të vazhdueshme me dronë që Moska ia atribuon Ukrainës.

Sipas njoftimit të agjencisë ruse të aviacionit civil, Rosaviatsiya, masat e reja parashikojnë që avionët e lehtë, mjetet “ultralight” dhe dronët të fluturojnë në një lartësi minimale prej 5,200 metrash.

Kjo lartësi konsiderohet praktikisht e paarritshme për shumicën e këtyre mjeteve ajrore, duke kufizuar ndjeshëm operimin e tyre në zonat e prekura.

Kufizimet do të zbatohen në Moskë dhe rajonin e Moskës, si dhe pjesërisht në rajonet Rjazan, Tula, Kaluga, Tver, Jaroslavl dhe Vladimir. Autoritetet ruse kanë bërë të ditur se masat do të hyjnë në fuqi më 20 qershor.

Vendimi vjen në një kohë kur Rusia ka raportuar shpesh sulme me dronë në rajonet pranë kryeqytetit, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e hapësirës ajrore. Megjithatë, Rosaviatsiya ka sqaruar se fluturimet e rregullta të pasagjerëve dhe ato charter nuk do të preken nga kufizimet e reja dhe do të vazhdojnë normalisht.

EMISIONET