Rreth 30 mijë rrufe brenda një nate "tronditin" Britaninë, qindra incidente dhe alarm i kuq nga i nxehti ekstrem!

Rreth 30 mijë rrufe brenda një nate "tronditin"

Britania e Madhe është përballur me një fenomen të pazakontë atmosferik, pasi stuhitë e fuqishme të shoqëruara me aktivitet intensiv elektrik kanë goditur vendin gjatë natës së së hënës, duke sjellë mijëra goditje rrufeje, përmbytje dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Sipas BBC-së, rreth 30 mijë goditje rrufeje janë regjistruar brenda pak orësh, duke krijuar një spektakël natyror mbresëlënës, por njëkohësisht edhe dëme të konsiderueshme në disa rajone të vendit.

Shërbimet zjarrfikëse raportuan se kanë ndërhyrë në afro 400 incidente, që përfshijnë përmbytje, bllokime rrugësh, ndërprerje të energjisë elektrike dhe zjarre në banesa të shkaktuara nga goditjet e rrufeve.

Stuhitë u zhvendosën nga jugperëndimi drejt juglindjes së vendit, duke zgjuar mijëra banorë nga bubullimat dhe vetëtimat e fuqishme.

Në qarkun Somerset u regjistruan deri në 500 goditje rrufeje në minutë. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë qiellin të ndriçuar vazhdimisht nga vetëtimat, ndërsa disa banorë e përshkruan fenomenin si një nga më intensivët që kanë përjetuar ndonjëherë.

Sipas ekspertëve meteorologjikë, stuhitë lidhen drejtpërdrejt me valën e të nxehtit që ka përfshirë Evropën, pasi përplasja e masave të ajrit të nxehtë dhe të lagësht me ajrin më të ftohtë krijon kushte për aktivitet të lartë elektrik në atmosferë.

Autoritetet paralajmërojnë se temperaturat në Angli mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në ditët në vijim. Për këtë arsye, për disa zona është lëshuar alarm i kuq, ndërsa qytetarët janë këshilluar të kufizojnë lëvizjet. Në disa rajone janë mbyllur edhe shkolla për arsye sigurie.

EMISIONET