Përplasje e madhe në NATO për miliardat e mbrojtjes, Kamberi: Ja plani i ri ushtarak dhe fati i luftërave në botë

Samiti i fundit i aleancës ushtarake perëndimore në Ankara ka zbardhur një prapaskenë të tensionuar mes shteteve të fuqishme, duke sinjalizuar një epokë të re që ekspertët tashmë e quajnë "versioni 3.0".

Mes kërcënimit të një lufte të re globale dhe gjakderdhjes së pandërprerë në Ukrainë, thelbi i përplasjes mbeten miliardat e faturave ushtarake.

I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, u shpreh se shtylla e parë dhe më e nxehtë e këtij samiti lidhet me një kërkesë tronditëse për buxhetet e mbrojtjes.

Nëse më parë synohej një kontribut prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për ushtrinë, tashmë po hidhet në tryezë një objektiv drastik prej 5% deri në vitin 2035.

Kjo rritje marramendëse, tha Kamberi, ku një pjesë shkon për blerje direkte armatimesh dhe pjesa tjetër për mbrojtjen kibernetike, ka thelluar krisjen mes vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara.

Retorika e ashpër e presidentit amerikan ka shkaktuar një valë tensioni, veçanërisht për shkak të pretendimeve për mungesë mbështetjeje në zonat e tjera të konfliktit.

Paralelisht, një rëndësi kritike po i kushtohet zgjimit të industrisë së mbrojtjes brenda shteteve anëtare, një strategji që synon t'i përgjigjet kërkesave masive për armatime.

Megjithatë, fokusi absolut mbetet te konflikti ruso-ukrainas. Kjo luftë, e cila ka marrë përmasat e konflikteve të Luftës së Dytë Botërore, konsiderohet si sfida më e madhe e sigurisë për krahun lindor të Evropës, teksa sytë e botës janë kthyer te takimet e nivelit të lartë që pritet të vulosin fatin e këtij rajoni.

Nga ana tjetër, pavarësisht frikës së një përshkallëzimi mes Izraelit dhe Iranit, Lindja e Mesme mbetet një prioritet periferik për strukturat thelbësore të aleancës.

Kamberi vlerësoi se historia ka vërtetuar se ndërhyrjet jashtë zonës së interesit të drejtpërdrejtë, si në rastin e Irakut, sjellin përçarje të thella mes aleatëve evropianë dhe Uashingtonit.

Se si do të menaxhohen këto mosmarrëveshje nën hijen e tensioneve diplomatike, kjo mbetet në dorë të përpjekjeve intensive për të shpëtuar unitetin në këtë epokë të re dhe të rrezikshme gjeopolitike.

PJESË NGA BISEDA NË STUDIO

Cilat janë çështjet që dominojnë realisht axhendën e këtij samiti të NATO-s që aktualisht mbahet në Turqi?

Geron Kamberi: Kohët e fundit ka filluar të përdoret një term kur i referohet NATO-s, i cili ngjan me numrat që përdoren për programet kompjuterike që përditësohen vazhdimisht. Pra dhe NATO është një strukturë që ka nevojë të përditësohet, veçanërisht në qoftë se kemi parasysh që është një institucion i cili lindi nga lufta e ftohtë, pra në vitin 1949 kur traktati për aleancën e Atlantikut u krijua dhe tashmë jemi gati 80 vjet më mbrapa. Dhe termi që përdoret sot, më së shumti, është ajo që quhet NATO 3.0, që siç e përmenda pak më parë, i ngjan atyre versioneve të programeve kompjuterike që përdoren me këtë term, që përditësohen vazhdimisht. Thelbi i samitit të Ankarasë do të jetë i përqendruar në tre shtylla kryesore. Së pari, do të jetë rritja e investimeve të vendeve anëtare në fushën e mbrojtjes. Duhet të kemi parasysh një element i cili pak dihet, por që duhet ta ritheksojmë dhe për ata që na dëgjojnë. NATO në vitin 2014 në samitin e Uellsit, i cili u zhvillua nga 4-5 shtatori i vitit 2014, mori vendimin që vendet anëtare të NATO-s të arrinin deri në 2% të prodhimit të përgjithshëm bruto për shpenzimet e mbrojtjes. Dhe kjo ishte e lidhur me një situatë gjeopolitike në atë periudhë, menjëherë tre-katër muaj mbasi Rusia kishte aneksuar Krimenë. Në vitin 2014, duke filluar që nga fundi i vitit 2013 dhe që u përmbyll me revolucionin e Euromaidan të Ukrainës në 28 shkurt, dhe më pas aneksimin e Krimesë dhe luftën e Donbasit, ajo që shohim ne sot është një histori gati dhjetëvjeçare, e cila si të thuash u poq përgjatë historisë, dhe ne shikojmë vetëm atë që duket sot, që është konflikti tashmë prej gati 5 vjetësh midis Rusisë dhe Ukrainës. Dhe ky lloj përcaktimi që bëri NATO ishte një përcaktim strategjik sepse po e shikonte që po përballej me sfida krejt të tjera. Pra, Rusia, e cila kishte qenë kundërshtari kryesor i NATO-s gjatë luftës së ftohtë, duket sikur po rikthehej sërish në skenë, dhe kjo i detyroi vendet anëtare të NATO-s që të përcaktonin atë që quhet objektivi i Uellsit. I cili brenda 10 vjetëve, pra deri në 2024-ën, për gati 10 vjet, të gjithë vendet anëtare të NATO-s duhet të arrinin këtë objektiv, përfshirë dhe Shqipërinë. Dhe besoj e keni ndjekur dhe debatin që ka pasur këto ditë, në rast se Shqipëria e ka arritur këtë objektiv apo jo, sepse është diçka tjetër midis planifikimit të buxhetit dhe realizimit të tij konkret. Më pas në samitin e Hagës, i cili u zhvillua 24 dhe 25 qershor 2025, u vendos ajo që quhet objektivi i Hagës. Të këtë kohë presidenti Trump i mëshoi shumë këtij fakti, që vendet anëtare të NATO-s brenda 10 vjetëve, pra deri në 2035-ën, duhet të mbërrijnë tek objektivi 5% i prodhimit të përgjithshëm bruto të shpenzuar për ushtrinë. Nga të cilat 2.5% e këtij shpenzimi do të ishte investime direkte për blerjen e pajisjeve ushtarake, dhe 1.5% do të ishin investime të lidhura me mbrojtjen, siç ishte infrastruktura e sigurisë kibernetike, investimet në fushën e kërkimeve të mbrojtjes e të tjerë. Këto sot konsiderohen sfida dhe kush ka parasysh dhe tensionet që ka pasur herë pas here edhe midis aleatëve europianë dhe presidentit Trump, e kanë bërë të dukshme dhe mund të jetë një nga temat që mund të mbizotërojë debatin, pa përfshirë dhe faktin që presidenti Trump vjen në këtë samit edhe me një lloj në thonjëza qejfmbetje do të thoja, për shkak se aleatët europianë sipas tij nuk e mbështetën në sipërmarrjen e tij për të rrëzuar regjimin iranian apo në konfliktin e 28 shkurtit. Shtylla e dytë do të jetë industria e mbrojtjes. Kjo është shumë e rëndësishme. Ka një plan të NATO-s që është miratuar në samitin e Vilniusit në vitin 2023, samiti i 11-12 korrikut 2023, ku NATO vendosi që gjithë industria e mbrojtjes në vendet anëtare të merrte një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe që lidhej me objektivin e parë për rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes në raport deri në 5% të PBB-së. Dhe e treta, e fundit por jo më pak e rëndësishmja, është si do t'i qaset NATO-ja konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti Zelensky mund të ketë një takim me presidentin Trump. Dhe nga ana tjetër ne kemi qenë dëshmitarë të dy-tre ditëve të sulmeve të vazhdueshme që ka pasur ndaj Ukrainës, pra lufta atje vazhdon, siç e thatë është një nga konfliktet më të gjata pas Luftës së Dytë Botërore dhe kjo është një sfidë për sigurinë veçanërisht të krahut lindor të NATO-s, i cili ky konflikt zhvillohet edhe në kufijtë lindorë të Bashkimit Europian.

A mendoni se do të zhvendoset disi fokusi nga ky konflikt që dihet që do të marrë atë vëmendjen kryesore të Rusisë në Ukrainë, tek konflikti në Lindjen e Mesme i SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, pas gjithë ngjarjeve që ndodhën gjatë muajve të fundit? Apo mendoni se vëmendja kryesore do të jetë Rusi-Ukrainë?

Geron Kamberi: Natyrisht për NATO-n ka rëndësi konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës. Në qoftë se kemi parasysh ku e shtrin veprimtarinë NATO-ja, lindja e mesme nuk është fushë apo zonë e drejtpërdrejtë e interesave të sigurisë të NATO-s, pavarësisht se ka vende anëtare të NATO-s që kanë interesa ose kanë kufij të jashtëm me atë. Por është një zonë periferike. Zakonisht NATO-ja, po marrim rastin e përfshirjes së NATO-s në misionin në Afganistan dhe në Irak. Në Afganistan ishte rasti i parë ku pas sulmeve të 11 shtatorit, NATO vuri në zbatim nenin 5 të traktatit, i cili është neni më i famshëm i cili garantonte mbrojtjen kolektive të vendeve anëtare të saj, për shkak të sulmeve që Amerika të 11 shtatorit. Por kjo nuk ndodhi në Irak. Në Irak gjatë kohës kur presidenti Bush në atë kohë mori vendimin për të sulmuar Irakun për shkak të armëve të shkatërrimit në masë, vendet anëtare të NATO-s kryesisht Franca, Gjermania, vendet europiane nuk iu bashkuan, madje pati protesta të shumta dhe u krijua ajo që quhet koalicioni i vullnetmirëve, ku presidenti Bush u detyrua të bashkëpunonte me Britaninë dhe disa vende jo shumë të rëndësishme përfshirë dhe Shqipërinë. Pra ka pasur një ndarje gjithmonë në këtë pjesë. Në rast se në samitin e Ankarasë do të rikthehet çështja e konfliktit me Iranin, ajo do të varet nga dinamikat dhe nga retorika e presidentit amerikan Trump, i cili siç e përmenda pak më parë, hyri në një debat të drejtpërdrejtë madje individual me mjaft prej liderëve europianë, duke përfshirë kryeministrin spanjoll, presidentin francez, madje dhe kryeministrin britanik, i cili në këtë rast nuk e ndoqi. Pa folur pastaj për kryeministren italiane apo kancelarin gjerman.

Se duket sikur veproi i vetëm në bashkëpunim me Izraelin por pa dakordësinë e të tjerëve...

Geron Kamberi: Pikërisht, por në atë kohë vendet anëtare të NATO-s u përpoqën, në atë kohë sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u përpoq ta zbuste atë, po të shikoni dhe vizitën që ai bëri në 29 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ishte një vizitë e cila synoi t'i përkëdhelte deri diku sedrën presidentit amerikan për t'i thënë që Amerika është shumë e rëndësishme dhe është e rëndësishme brenda aleancës atlantike të veriut. Por nga ana tjetër vendet europiane tashmë po shikojnë edhe mundësinë, dhe kjo mund të theksohet sërish në samitin e Ankarasë, atë që quhet NATO-ja 3.0.

EMISIONET