Pas muajsh mohimi, vjen rrëfimi për të miturën shqiptare në Itali / 17-vjeçari pranon se e shtyu 13-vjeçaren nga ballkoni

Pas muajsh mohimi, vjen rrëfimi për të miturën shqiptare

Vrasja e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila në Itali ka marrë një kthesë të re, pasi ish-i dashuri i saj ka ndryshuar dëshminë dhe ka pranuar se ishte ai që e shtyu nga ballkoni i banesës në Piacenza.

17-vjeçari, i cili në kohën e ngjarjes ishte 15 vjeç, e bëri rrëfimin gjatë seancës së Apelit, duke hequr dorë nga pretendimi i mëparshëm për pafajësi. Sipas mediave italiane, ai pranoi se kishte shkaktuar vdekjen e vajzës më 25 tetor 2024.

I riu u shfaq përmes një lidhjeje video nga burgu i të miturve në Catanzaro, ku po vuan dënimin pas vendimit të shkallës së parë, që e dënoi me 17 vite burg.

Gjatë seancës, ai kërkoi falje për veprimin e tij dhe për kohën e gjatë që kaloi pa treguar të vërtetën. Gjykata ndërkohë ka kërkuar një raport mbi sjelljen e tij në institucionin e vuajtjes së dënimit, pasi ndaj tij janë raportuar edhe çështje të tjera.

Emri i të riut nuk është bërë publik për shkak se ai është i mitur.

Avokati që përfaqëson nënën e Aurorës, Emilio Malaspina, e cilësoi rrëfimin si një hap të rëndësishëm në proces, ndërsa kërkoi që vendimi i shkallës së parë të merret në konsideratë.

Ngjarja ndodhi më 25 tetor 2024 në Piacenza të Italisë, ku 13-vjeçarja Aurora Tila humbi jetën pas rënies nga një ballkon.

Pas muajsh mohimi, vjen rrëfimi për të miturën shqiptare

Procesi gjyqësor është shtyrë deri më 10 shtator, kur pritet të vijojnë zhvillimet e mëtejshme në Apel.

EMISIONET