OKB kërkon fonde ndihma për 8.8 mln njerëz në 22 vende të rrezikuara nga pasojat e El Nino! Fenomeni pritet të forcohet gjatë 2026-ës
OKB ka bërë thirrje për 202 milionë dollarë ndihma për të mbrojtur 8.8 milionë njerëz nga pasojat e El Nino në 22 vende të rrezikuara. Fenomeni pritet të shkaktojë thatësira, përmbytje dhe stuhi, me mundësi 63% për t'u kthyer në një super El Nino deri në vitin 2027.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë dhe Programi Botëror i Ushqimit WFP kanë bërë thirrje për sigurimin e 202 milionë dollarëve fonde shtesë për të mbrojtur rreth 8.8 milionë njerëz në 22 vende me rrezik të lartë nga ndikimet e pritshme të fenomenit klimatik El Nino.
Sipas agjencive të OKB-së, kushtet e forta të El Nino gjatë gjysmës së dytë të vitit 2026 pritet të rrisin mundësinë e thatësirave, përmbytjeve dhe stuhive në pjesë të Afrikës, Azisë, Paqësorit, Amerikës Latine dhe Karaibeve.
Këto ngjarje ekstreme mund të kërcënojnë sigurinë ushqimore, prodhimin bujqësor dhe jetesën e miliona familjeve.
Ndër vendet më të rrezikuara në Afrikë janë Kameruni, Etiopia, Kenia, Madagaskari, Malaui, Mozambiku, Nigeria, Somalia, Sudani i Jugut, Sudani, Uganda dhe Zimbabveja. Në rajonin Azi-Paqësor përfshihen Afganistani, Pakistani, Filipinet dhe Timori Lindor.
Në Amerikën Latine dhe Karaibe, vendet më të prekshme janë Kolumbia, El Salvadori, Guatemala, Haiti, Hondurasi dhe Venezuela.
Aktualisht, FAO dhe ËFP kanë plane për të ndihmuar rreth 1.2 milionë njerëz, por fondet shtesë do të mundësonin zgjerimin e ndihmës për miliona të tjerë.
Programet e parashikuara përfshijnë transfertat e parave për familjet në nevojë, shpërndarjen e farave rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e bagëtive dhe ndërtimin e masave për kontrollin e përmbytjeve.
El Nino është një fenomen natyror klimatik që karakterizohet nga ngrohja periodike e temperaturave të sipërfaqes së detit në Paqësorin lindor, si rezultat i dobësimit të erërave tregtare. Ai shfaqet zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe zgjat nga nëntë deri në dymbëdhjetë muaj.
Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e Shteteve të Bashkuara NOAA njoftoi javën e kaluar rikthimin e El Nino-s.
Sipas parashikimeve të saj, ekziston një probabilitet prej 63% që fenomeni të forcohet dhe të arrijë nivelet e një “super El Nino” deri në vitin 2027.


