OECD fajëson tarifat e Trump për ngadalësimin e rritjes ekonomike globale

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) publikoi sot raportin për rritjen globale në vitet 2025 dhe 2026 ku parashikohet një ngadalësim i rritjes ekonomike -pjesërisht për shkak të mosmarrëveshjeve për tarifat e iniciuara nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
OECD tha sot në një raport se parashikon një rritje globale prej 3,1% këtë vit në vend të 3,3%, ndërsa 2026 mund të shohë një rritje prej 3,0% në vend të 3,3% – që institucioni parashikonte më herët.
“Treguesit e fundit të aktivitetit tregojnë për një zbutje të perspektivave të rritjes globale”, thuhet në raport.
“Pasiguria e politikave ka qenë e lartë dhe mbeten rreziqe të rëndësishme. Fragmentimi i mëtejshëm i ekonomisë globale është një shqetësim kyç”, sipas raportit.
OECD tha se nëse tarifat dypalëshe rriteshin më tej për të gjitha importet jo-mallra në SHBA- dhe eksportet nga SHBA-ja, prodhimi global mund të binte me rreth 0,3% deri në vitin e tretë.
Një simulim i tarifave 10% sugjeron se Meksika mund të jetë ndër vendet më të goditurat me një rënie prej 1,3% të rritjes nga niveli bazë në vitin e tretë të veprimit dypalësh, ndërsa SHBA-ja do të kishte një rënie prej 0,72%.
“Marrëveshjet që synojnë të ulin tarifat nga nivelet aktuale mund të rezultojnë në rritje më të madhe”, shtoi OECD.
Pavarësisht nga tarifat, OECD pret që India të rritet më shpejt në 2025 dhe 2026 me një rritje reale të produktit të brendshëm bruto (PBB) të parashikuar prej 6,4% dhe 6,6%. Meksika është i vetmi vend i madh i listuar që mund të ketë një rënie.
Viktima e tarifave amerikane, Kanadaja mund të përjetojë një rritje të ulët dhe eurozona parashikohet të rritet me 1,0% dhe 1,2% respektivisht në 2025 dhe 2026.

