NUK I JEPET MJEKIM SI PALESTINEZ/ Gjykata izraelite refuzon transferimin e një 5-vjeçari për trajtim urgjent k*nceri
Një gjykatë izraelite ka refuzuar transferimin e një djali palestinez 5-vjeçar për trajtim jetik kundër kancerit. Mjekët theksojnë se trajtimi i nevojshëm nuk është i disponueshëm as në Gaza dhe as në Bregun Perëndimor. Autoritetet izraelite argumentuan se fëmija mbetet i regjistruar si banor i Gazës, çka e përfshin në ndalimin e hyrjes pas luftës, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar vendimin.

Një vendim i Gjykatës së Qarkut në Jerusalem ka ndezur reagime të forta pasi refuzoi kërkesën për të lejuar një djalë palestinez 5-vjeçar, i prekur nga një formë agresive kanceri, të hyjë në Izrael për trajtim jetik.
Fëmija ndodhet në Bregun Perëndimor që prej vitit 2022, por vazhdon të jetë i regjistruar zyrtarisht si banor i Gazës, fakt që sipas autoriteteve e përfshin automatikisht në ndalimin e hyrjes të vendosur pas sulmeve të 7 tetorit 2023.
Familja kërkoi transferimin e tij në një spital pranë Tel Avivit për një transplant të palcës së kockës dhe terapi imunologjike, procedura që nuk ofrohen as në Gaza dhe as në Bregun Perëndimor.
Gjykata argumentoi se nuk kishte bazë për përjashtim nga politika e përgjithshme e ndalimit, duke theksuar se rasti i fëmijës nuk paraqet dallim të mjaftueshëm nga mijëra pacientë të tjerë të cilëve u është refuzuar hyrja për trajtim.
Organizatat e të drejtave të njeriut e cilësuan vendimin si pasojë të një sistemi burokratik që vendos statusin administrativ mbi urgjencën mjekësore, ndërsa nëna e fëmijës deklaroi se vendimi përbën humbjen e shpresës së fundit për shpëtimin e jetës së tij.
Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare shëndetësore, mijëra pacientë me kancer në Gaza mbeten pa mundësi trajtimi jashtë territorit, ndërsa qindra persona kanë humbur jetën gjatë pritjes për evakuim mjekësor.

