Netanyahu: Marrëveshja diplomatike izraelito-saudite shumë shpejt
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA për të normalizuar lidhjet me Arabinë Saudite është shumë pranë.
“Ne ndoshta do ta arrijmë në fund, sepse ka kuptim, por mendoj se nëse duam ta shfrytëzojmë këtë mundësi, duhet ta bëjmë atë në muajt e ardhshëm”, i tha Netanyahu transmetuesit amerikan ”Fox News”.
Për muaj të tërë, ka pasur spekulime nëse Arabia Saudite mund të jetë vendi i radhës në botën arabe që do të normalizojë marrëdhëniet e saj me Izraelin.
Në shtator 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini ishin dy vendet e para të Gjirit që vendosën marrëdhënie diplomatike me Izraelin në 2020 nën ndërmjetësimin e SHBA.
Kryeministri izraelit shprehu optimizëm për ngrohjen e marrëdhënieve diplomatike.
“Unë mendoj se ne po i afrohemi paqes çdo ditë që kalon”, tha ai për marrëveshjen izraelito-saudite.
Të mërkurën, Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman konfirmoi në një intervistë se të dy vendet ishin në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre.
Zyrtarisht, Riadi nuk ka marrëdhënie me Izraelin, por në mënyrë të fshehtë të dy vendet kanë punuar së bashku për çështjet e sigurisë për disa kohë.
Netanyahu tha se “mendoj se palestinezët duhet të jenë pjesë e procesit, por nuk mendoj se palestinezët duhet të kenë të drejtën e vetos mbi procesin”.
Ai akuzoi udhëheqjen palestineze se nuk kërkon vërtet një zgjidhje paqësore që nga nënshkrimi i traktateve të paqes me Izraelin në 1993. “Palestinezët nuk duan paqe me Izraelin, ata duan paqe në vend të Izraelit”, tha ai.