Ndaloi përdorimin, “TikTok” padit Montanën në SHBA, kompania: Shkeli të drejtën e lirisë së fjalës
Shteti i Montanës, ndaloi përdorimin e tij, por “TikTok” e paditi në Gjykatën Federale të Qarkut, me akuzën se ka shkelur të drejtën e lirisë së fjalës. Montana u bë shteti i parë amerikan që miratoi ndalimin e përdorimit të "TikTok".
Kompania kineze e rrjetit social “TikTok” ka paditur shtetin e Montanës në SHBA, pasi bllokoi aplikacionin kinez më popullor të momentit.
Në padinë e paraqitur në Gjykatën Federale të Qarkut, kompania e akuzon qeverinë federale për shkeljen e Amendamentit të Parë, i cili përcakton të drejtën e lirisë së shprehjes.
Ndalimi, shkruajnë avokatët e TikTok, “do të mbyllë në mënyrë jokushtetuese hapësirat” të destinuara që njerëzit të jenë në gjendje të shprehen.
Në një deklaratë, “TikTok” tha se ndalimi bie ndesh me të drejtat e lirisë së fjalës në SHBA.
Në padi përmendet guvernatori, republikani Greg Gianforte, i cili nënshkroi ndalimin e miratuar nga Kongresi i SHBA, duke e kthyer atë në ligj.
Montana është shteti i parë që ka nxjerrë plotësisht jashtë ligjit aplikacionin në pronësi të kompanisë kineze. Gianforte tha se arsyeja është mbrojtja e sigurisë së brendshme.
“TikTok” është vënë nën shqyrtim nga autoritetet në mbarë botën për shqetësimet se të dhënat mund t'i kalojnë qeverisë kineze.
Në shtete të tjera, “TikTok”-u është ndaluar nga rregulloret federale dhe qeveritare, dhe e njëjta gjë ka ndodhur në Australi, Kanada, Zelandën e Re dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Në Montana, megjithatë, ndalimi është më i gjerë, parashikohen gjoba deri në 10 mijë dollarë në ditë për dyqanet “Apple” dhe “Google” që do ta bëjnë aplikacionin të shkarkohet në internet.
“TikTok” mund të gjobitet nëse e bën të aksesueshëm. Nga ana tjetër, përdoruesit nuk do të gjobiten.
Ndalimi do të hyjë në fuqi nga janari 2024.
Emily Flower, zëdhënësja e Prokurorit të Përgjithshëm të Montanës, u përgjigj:
“Ne prisnim një sfidë ligjore dhe jemi plotësisht të përgatitur për të mbrojtur ligjin që ndihmon në mbrojtjen e privatësisë dhe sigurisë së banorëve të Montanës”.