NATO rrëzon dron mbi Letoni, alarm në kufijtë e Evropës Lindore

NATO rrëzon dron mbi Letoni, alarm në kufijtë e Evropës

Forcat e Armatosura të Letonisë kanë bërë të ditur se një avion i NATO-s ka rrëzuar një dron që fluturonte mbi territorin letonez, në një incident që ka ngritur alarm në pjesën lindore të vendit.

Sipas njoftimeve zyrtare dhe raportimeve të mediave lokale, rreth orës 09:20 të mëngjesit, autoritetet ushtarake lëshuan paralajmërime për komunat Ludza, Balvi dhe Alūksne, pas sinjalizimeve për një kërcënim të mundshëm në hapësirën ajrore.

Më vonë gjatë ditës, një tjetër incident u raportua në Moldavinë lindore, ku një dron u rrëzua dhe shpërtheu në një zonë bujqësore pranë fshatit Lopatna, afër kufirit. Ministria e Mbrojtjes së Moldavisë njoftoi se mbetje të mjetit ajror pa pilot u gjetën në terren, ndërsa droni kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit pak para sulmeve ajrore që u raportuan gjatë natës në rajon.

Autoritetet moldave bënë të ditur se incidenti nuk ka shkaktuar dëme në njerëz.

Për të dy rastet, si në Letoni ashtu edhe në Moldavi, ende nuk ka një konfirmim zyrtar për origjinën e dronëve, por dyshohet se mund të kenë lidhje me zhvillimet e luftës në Ukrainë.

Ngjarjet vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara në rajon, ku javët e fundit janë raportuar sulme të shpeshta me dronë dhe raketa në zonat pranë kufirit të Ukrainës.

EMISIONET