"KJO PROTESTË NUK KA LIDER"/ Çepani: Po funksionon si një organizim i përbashkët qytetar
Aktivistja Edlira Çepani, e ftuar në emisionin "Drejt" në Ora News, foli për mënyrën se si po organizohet protesta qytetare dhe rolin që kanë pjesëmarrësit në këtë lëvizje.
Sipas saj, një nga veçoritë kryesore të protestës është mungesa e një lideri të vetëm, ndërsa organizimi mbështetet te kontributi i qytetarëve që marrin pjesë çdo ditë në shesh.
"Nuk ka një person të vetëm, nuk ka një lider. Secili prej njerëzve që është aty ndihet pjesë e organizimit dhe kontribuon në mënyrën që mundet. Njerëzit janë bashkëorganizatorë, bashkëpronarë dhe bashkëdrejtues të kësaj proteste."-tha ajo.
Çepani tha se ky model organizimi ka krijuar një frymë bashkëpunimi, ku qytetarët kontribuojnë me ide, kohë dhe angazhim për mbarëvajtjen e protestës.
Ajo vuri në dukje se një grup të rinjsh merret çdo ditë me logjistikën dhe koordinimin e aktiviteteve, ndërsa pjesëmarrës të tjerë kanë sjellë forma të ndryshme kreativiteti në shesh.
"Secili vjen me kreativitetin dhe mundësitë e veta. Disa kanë krijuar flamingot që mbahen në duar gjatë protestës, të tjerë kanë organizuar këndin e fëmijëve ku ata vizatojnë, në mënyrë që prindërit të kenë mundësi të marrin pjesë në protestë. Ka edhe pankarta dhe mesazhe të krijuara nga vetë të rinjtë."-shtoi Çepani.
Sipas aktivistes, organizimi i protestës po mbështetet te pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e qytetarëve dhe te ndarja e përgjegjësive, duke krijuar një model ku secili ka një rol në zhvillimin e aktivitetit.
Çepani e cilësoi këtë si një përvojë pozitive të angazhimit qytetar, ku protesta nuk identifikohet me një figurë të vetme, por me kontributin e përbashkët të njerëzve që marrin pjesë në të.


