"Jo vetëm për Zvërnecin"/ Kasapi: Protesta po flet për problemet reale të shqiptarëve

Gazetari Julian Kasapi, në një lidhje direkte në emisionin "Drejt" në Ora News, komentoi protestat e fundit qytetare dhe çështjet që sipas tij kanë nxitur reagimin e qytetarëve në vende të ndryshme të Shqipërisë.

Kasapi e lidhi situatën me nevojën që qytetarët të dëgjohen më shumë në debatet publike, duke sjellë edhe krahasimin me përvojën e tij në Belgjikë.

"Në Belgjikë dëgjohet zëri ndryshe ose zëri kundër. Kjo është pjesë e demokracisë. Në Shqipëri ka pasur shpesh një perceptim tjetër dhe për këtë arsye është e rëndësishme që qytetarët të shprehin mendimin e tyre."-tha gazetari.

Sipas tij, protestat e fundit nuk lidhen vetëm me debatet për projektin në Zvërnec, por me një sërë shqetësimesh që qytetarët kanë grumbulluar prej vitesh.

Kasapi e cilësoi pjesëmarrjen e të rinjve, familjeve dhe qytetarëve në protesta si një shenjë angazhimi qytetar, duke vënë në dukje se mesazhi i protestës ka më shumë rëndësi sesa numri i pjesëmarrësve.

"Nuk kanë rëndësi numrat. E rëndësishme është që të rinjtë, familjet dhe qytetarët po ngrejnë zërin. Nuk është vetëm një çështje që lidhet me Zvërnecin, por edhe me shëndetësinë, arsimin, papunësinë, pensionet dhe probleme të tjera që prekin përditshmërinë e njerëzve."-shtoi ai.

Gazetari ndaloi edhe te situata e medias në vend. Ai tha se gazetarët përballen me vështirësi të shumta profesionale dhe ekonomike, gjë që sipas tij ndikon edhe në mënyrën se si trajtohen tema të ndryshme në hapësirën publike.

Kasapi kujtoi se prej më shumë se dy dekadash ka qenë pjesë e medias shqiptare dhe vlerësoi se debati mbi lirinë e medias dhe kushtet e punës së gazetarëve mbetet një çështje e rëndësishme për shoqërinë shqiptare.

 

EMISIONET