Vlora në zi për Enrik Mehmetin/ Anila Basha në lot: Vlora humbi djalin e saj, ne humbëm mikun tonë të shtrenjtë
Qyteti i Vlorës dhe komuniteti i gazetarëve shqiptarë janë mbuluar nga zija pas humbjes së parakohshme të gazetarit të njohur, Erik Mehmetit. Në moshën 40-vjeçare, ai u nda nga jeta duke lënë pas një zbrazëti të madhe dhe një dhimbje të thellë për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.
Përfaqësues të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe kolegë të shumtë u mblodhën për të nderuar kujtimin e tij mes lotësh dhe fjalësh prekëse.
Nga gazetarja Anila Basha, Mehmeti u përshkrua si një njeri tejet energjik, punëtor dhe thellësisht i lidhur me qytetin e Vlorës.
Basha theksoi se gazetari ishte një pikë referimi e përditshme për kolegët e tij, jo vetëm për mbledhjen e informacioneve, por për të kuptuar thellësisht brendinë e jetës së qytetit bregdetar.
" Më vjen shumë keq që jemi mbledhur të gjithë sot këtu, ne miqtë, shokët e tij. Vlora humbi jo vetëm një gazetar të mrekullueshëm, por Vlora humbi njeriun e tij... djalin e vet. Por ne komuniteti i gazetarëve, humbëm mikun tonë të shtrenjtë, njeriun që e telefononim nga mëngjesi deri në darkë.
Jo vetëm për informacionet që na duheshin nga qyteti, por mbi të gjitha për gjithçka që kishte të bënte me brendinë e këtij qyteti.
Eriku ka qenë kaq energjik, kaq punëtor, ka qenë kaq i dashur me komunitetin ku jetonte. 40 vitet që jetoi, i jetoi me një intensitet të paparë. Më duket e pabesueshme që nuk do të jetë mes nesh. Ka lënë kryevepra në gazetarinë shqiptare, që brezat do t'i kujtojnë kohë pas kohe. Jam shumë e tronditur, ne të gjithë jemi të tronditur.
Në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, dua të shpreh ngushëllimet jo vetëm familjes së tij, bashkëshortes dhe dy fëmijëve të vegjël, nënës së tij, të afërmve, familjarëve, por të gjithë komunitetit të gazetarëve të Vlorës dhe të gjithë komunitetit vlonjat dhe të gjithë miqve kudo që e njohën se kishte miq të panumërt. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij", u shpreh Basha.

