Mijëra njerëz evakuohen nga zjarret që po përfshijnë Europën Jugore

Mijëra banorë u detyruan të largohen sot nga shtëpitë e tyre, ndërsa zjarre të fuqishme vazhduan të përhapen në disa vende të Europës Jugore.
Situata ka detyruar autoritetet franceze të ndalojnë edhe praninë e spektatorëve në një etapë të garës së njohur çiklistike “Tour de France”.
Qindra zjarrfikës po luftojnë me flakët në Portugali, Spanjë, Francë dhe Greqi, ku janë shkrumbuar mbi 19 mijë hektarë tokë.
Ndërkohë, meteorologët paralajmërojnë se temperaturat do të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në disa zona që sapo kanë kaluar një valë të fortë të nxehti.
Në jugperëndim të Francës, pranë Perpignan, rreth 700 zjarrfikës, të mbështetur nga avionë të specializuar, po përpiqen të vënë nën kontroll një zjarr të përmasave gjigante që është përhapur në një zonë të vështirë malore.
Më shumë se 10 mijë banorë janë evakuuar.
Autoritetet thanë se zjarri, i favorizuar nga era, temperaturat e larta dhe ajri jashtëzakonisht i thatë, është trefishuar që nga mëngjesi i së dielës, duke djegur rreth 4 600 hektarë.
Një zjarrfikës dhe një banor kanë mbetur të plagosur.
Këto zjarre vijnë menjëherë pas një vale rekord të të nxehtit që goditi Europën në qershor.
Sipas grupit shkencor “World Weather Attribution”, kjo valë ekstreme do të kishte qenë pothuajse e pamundur pa ndikimin e ndryshimeve klimatike.
Autoritetet franceze paralajmëruan se sezoni i zjarreve ka nisur rreth një muaj më herët se zakonisht.
Koloneli i shërbimit zjarrfikës, Eric Belgioino, tha se ndryshimet klimatike tashmë po ndihen qartë dhe u bëri thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.
Për shkak të rrezikut të lartë, etapa e tretë e “Tour de France”, që kalon nga Spanja në Francë përmes maleve të Pirenejve, do të zhvillohet pa spektatorë në territorin francez.
Autoritetet u kërkuan qytetarëve të mos afrohen përgjatë itinerarit ose në zonën e mbërritjes.
Në Greqi, një zjarr pyjor përfshiu dy fabrika në Selanik, duke detyruar evakuimin e zonave përreth.
Banorëve iu kërkua të mbanin dritaret të mbyllura për shkak të një reje toksike të krijuar nga tymi.
Në Spanjë, një zjarr pranë bregdetit të Costa Brava ka djegur mbi 2.200 hektarë në vetëm dy ditë.
Zjarrfikësit paralajmëruan se temperaturat në rritje dhe vatrat ende aktive do ta bëjnë shuarjen e flakëve edhe më të vështirë.
Në Portugali, shërbimet e emergjencës njoftuan se kanë vënë nën kontroll rreth 80 për qind të një zjarri që ka shkatërruar rreth 13 mijë hektarë pyje dhe shkurre në veri të vendit.
Zjarre të mëdha janë regjistruar gjithashtu në ishullin Hvar dhe në zonën e Talë, ku janë djegur qindra hektarë pyje, shkurre dhe vreshta.
Autoritetet në Portugali, Spanjë dhe Francën jugore kanë forcuar masat e alarmit për vapën, ndërsa sinoptikanët parashikojnë se vala e re e të nxehtit do të zhvendoset drejt veriut të Europës dhe mund të zgjasë deri në fundjavë.


