Maturantët japin sot provimin e fundit, 29 nxënës përjashtohen për shkelje të rregullores!

Maturantët në të gjithë vendin zhvillojnë sot provimin e fundit të Maturës Shtetërore 2026, atë të lëndës me zgjedhje. Ky test përmbyll zyrtarisht sezonin e provimeve dhe rezultatet e tij do të jenë përcaktuese për aplikimet dhe pranimin në universitet.
Sezoni i Maturës Shtetërore nisi më 2 qershor me provimin e Gjuhës së Huaj, vijoi më 9 qershor me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, ndërsa më 16 qershor maturantët iu nënshtruan testit të Matematikës.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se 29 maturantë janë përjashtuar nga provimet e zhvilluara deri më tani për shkelje të rregullores.
Përjashtimi u heq atyre mundësinë për të vijuar procesin e Maturës Shtetërore dhe për t’u regjistruar në universitet gjatë këtij viti akademik.
Autoritetet kanë apeluar për respektimin e rregullave gjatë zhvillimit të provimeve, duke theksuar se çdo shkelje do të ndëshkohet sipas rregullores në fuqi.

