“La Repubblica”: Hakerët kinezë vjedhin të dhëna konfidenciale të hetuesve italianë

Hakerët kompjuterikë që besohet se veprojnë nga Kina kanë fituar akses në të dhëna konfidenciale, që i përkasin rreth 5000 hetuesve nga shërbimi i sigurisë së Italisë, raportoi sot gazeta “La Repubblica”.
Sipas raportit, hakerët depërtuan në rrjetin e koduar të Ministrisë së Brendshme italiane. Ministria deri më tani nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare.
Sipas gazetës, hakerët morën një listë me emrat, funksionet dhe vendndodhjet e zyrtarëve nga Divizioni i Përgjithshëm i Hetimeve dhe Operacioneve Speciale (DIGOS).
Përgjegjësitë e njësisë së shërbimit të sigurisë shtetërore përfshijnë luftimin e terrorizmit dhe akteve të dhunës politike.
Zbulimi vjen në një kohë të pafavorshme për qeverinë e krahut të djathtë të kryeministres italiane, Giorgia Meloni.
Pasi Meloni mori detyrën, Roma dhe Pekini ranë dakord të bashkëpunojnë më ngushtë në fusha të tilla si krimi kibernetik, trafikimi i drogës dhe krimi i organizuar.

