Kriza thellohet në Krime pas sulmeve ukrainase, bllokohen karburantet dhe ura strategjike!

Kriza thellohet në Krime pas sulmeve ukrainase, bllokohen karburantet dhe

Katër persona u vranë dhe 28 janë plagosur nga sulmet ukrainase me dronë në Gadishullin e Krimesë e që kontrollohet nga rusët. Lajmin e njoftoi guvernatori i Krimesë, i vendosur nga Rusia.

Ndërkaq, autoritetet lokale në rajonin Krasnodar të Rusisë thanë se një sulm ukrainas me dronë goditi një godinë për transportin e naftës, duke vrarë të paktën një person. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e konfirmoi sulmin.Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 239 dronë ukrainas janë rrëzuar gjatë natës.
Guvernatori Sergei Aksyonov tha se pikat e karburanteve në mbarë gadishullin kanë pezulluar shitjet për publikun dhe bizneset, për shkak se rezervat janë kufizuar vetëm për agjencitë qeveritare, përgjegjëse për shërbimet thelbësore e të sigurisë.

Ukraina që po përballet me pushtimin rus ka intensifikuar sulmet në Krime, ku gjendet Flota e Detit të Zi të Rusisë, duke goditur linjat furnizuese të gadishullit dhe nxitur një krizë për karburante.

Një operator lokal i rrjetit elektrik raportoi ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona, pas dëmtimeve në rrjetet e furnizimit me energji, ndërsa qarkullimi i trageteve nëpër Ngushticën e Kërçit, që ndan Krimenë nga rajoni i Krasnodarit, u pezullua përkohësisht.


Autoritetet gjithashtu ndaluan qarkullimin për më shumë se nëntë orë në urën e Krimesë, duke bërë që 11 trena të përballeshin me vonesa në itineraret e tyre.

EMISIONET