Koreja e Jugut: Të shqetësuar se SHBA-ja mund t’i zhvendosë pajisjet ushtarake në Lindjen e Mesme

Koreja e Jugut shprehu shqetësime në lidhje me raportet se pajisjet ushtarake amerikane mund të zhvendosen nga Seuli në Lindjen e Mesme për shkak të konfliktit të vazhdueshëm me Iranin.
“Në varësi të mënyrës se si zhvillohet situata, forcat amerikane në Korenë e Jugut, mund të dërgojnë disa sisteme të mbrojtjes ajrore jashtë vendit në përputhje me nevojat e tyre ushtarake”, tha sot në parlament, presidenti Lee Jae Myung.
Ai shtoi se Seuli kishte ndikim të kufizuar mbi vendimin.
“Ndërsa kemi shprehur kundërshtimin tonë, realiteti është se nuk mund ta zbatojmë plotësisht qëndrimin tonë”, shtoi ai.
Deklarata e tij vjen, pas raporteve të medias për disa aeroplanë të mëdhenj transporti amerikanë që mbërritën në Bazën Ajrore Osan, në jug të Seulit, duke nxitur spekulime se sistemet e mbrojtjes raketore “Patriot” mund të ridislokohen nga Koreja e Jugut në vende të tjera, përfshirë Lindjen e Mesme – ku tensionet janë përshkallëzuar pas sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj Iranit.
Lee theksoi se zhvendosja e sistemeve individuale nuk do ta dobësonte ndjeshëm frenimin kundër Koresë së Veriut.
Dy bateri të sistemit të mbrojtjes “Patriot” u zhvendosën në qershor të vitit të kaluar, gjatë sulmeve më të mëdha amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe u kthyen në Korenë e Jugut në tetor.


