Katalonja prezanton planin me 55 masa/ Punë nga distanca dhe orare fleksibile për mijëra punonjës

Qeveria e Katalonjës ka prezantuar një plan të ri me 55 masa që synojnë të nxisin punën në distancë dhe oraret fleksibile, me qëllim përmirësimin e balancës mes jetës profesionale dhe asaj personale për mijëra punonjës.
Strategjia e re, e prezantuar në Barcelonë nga autoritetet rajonale, u bën thirrje bizneseve publike dhe private të lejojnë punën 100% nga distanca gjatë periudhave të caktuara, si vera, pushimet shkollore apo situatat emergjente. Gjithashtu, rekomandohet respektimi i shkëputjes dixhitale jashtë orarit të punës dhe organizimi i orareve më fleksibile.
Plani parashikon edhe masa të tjera për të lehtësuar jetën familjare, përfshirë krijimin e hapësirave për kujdesin ndaj fëmijëve në vendin e punës, zgjerimin e politikave të lejeve përtej modelit tradicional familjar dhe planifikimin e mbledhjeve në orare që favorizojnë punonjësit me përgjegjësi familjare.
Sipas ministres për Barazi dhe Feminizëm, Eva Menor, ekuilibri mes punës dhe jetës personale nuk është vetëm një çështje private, por një faktor kyç për transformimin e shoqërisë. Ajo theksoi se gratë vazhdojnë të mbajnë barrën më të madhe të punëve të kujdesit dhe të angazhimeve shtëpiake, duke kaluar mesatarisht mbi një orë më shumë në ditë se burrat në këto aktivitete.
Nga ana tjetër, ministri për Biznes dhe Punë, Miquel Sàmper, deklaroi se fleksibiliteti në punë duhet të konsiderohet një e drejtë për të gjithë punonjësit dhe se kompanitë duhet të përshtaten me këtë realitet të ri për të përmirësuar mirëqenien dhe produktivitetin.
Autoritetet katalanase synojnë gjithashtu të zhvillojnë deri në fund të vitit 2026 një platformë dixhitale që do t’i ndihmojë bizneset dhe institucionet publike të vlerësojnë praktikat e tyre dhe të identifikojnë politikat më të përshtatshme për organizimin e punës.
Nisma vjen në një kohë kur Spanja po përpiqet të zgjerojë përdorimin e modeleve fleksibile të punës pas pandemisë, ndërsa përballet me sfida demografike si plakja e popullsisë, ulja e lindshmërisë dhe nevoja për të rritur konkurrueshmërinë ekonomike.

