Hungaria kufizon mandatin e kryeministrit në 8 vite, Orban përjashtohet nga rikthimi në pushtet

Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, ka firmosur një ndryshim kushtetues që vendos kufi prej tetë vitesh për mandatin e kryeministrit, duke ndikuar drejtpërdrejt në të ardhmen politike të Viktor Orbanit.
Me rregullin e ri, askush nuk mund të qëndrojë më shumë se tetë vite në postin e kryeministrit. Orban ka udhëhequr Hungarinë për rreth 20 vite në total, çka e përjashton atë nga një rikthim i mundshëm në këtë detyrë.
Ndryshimi u miratua më herët nga parlamenti me shumicë të gjerë dhe më pas iu dërgua presidentit për firmë. Masa është pjesë e një reforme më të gjerë politike, e cila është mbështetur nga kryeministri aktual Péter Magyar. Ai ka propozuar kufizimin e mandateve për kreun e qeverisë, duke theksuar se rregulli do të vlejë edhe për të vetë në të ardhmen.
Presidenti Sulyok e ka cilësuar ligjin si një rast të veçantë në Europë dhe më gjerë, por ka shprehur rezerva për ndikimin e tij në vullnetin e qytetarëve. Pavarësisht kësaj, ai e ka miratuar ndryshimin pa e dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Vendimi vjen në një periudhë tensionesh politike në Hungari. Qeveria e re dhe presidenca ndodhen në përplasje për disa çështje institucionale. Kryeministri Magyar ka kërkuar më herët largimin e presidentit, duke e akuzuar për lidhje me sistemin e mëparshëm politik.
Marrëdhëniet mes dy institucioneve janë përkeqësuar gjatë këtij viti, duke rritur debatet për stabilitetin politik në vend.


