Italia drejt ndalimit total të duhanit dhe në ambjentet jashtë

Italia po diskuton mundësinë e miratimit të një ligji për ndalimin e duhanpirjes edhe në ambientet e jashtme madje edhe të cigareve elektronike. Propozimi është bërë nga ministri italian i Shëndetësisë Orazio Schillaci.
Rregullat e reja parashikojnë ndalimin e pirjes së duhanit, duke përfshirë cigaret elektronike, në stacionet e transportit publik dhe gjithashtu në parqe nëse janë të pranishëm fëmijë dhe gra shtatzëna.
Drafti I propozuar, parashikon ndalimin e cigareve edhe në ambientet e jashtme të bareve dhe restoranteve ku do të lejohen vetëm ata subjekte që disponojnë një vend të vecantë për duhanpirësit, ndërsa sallonet e pirjes së duhanit në aeroporte do të eliminohen .
Në rrugë e sipër është ndalimi I cdo forme reklamimi të llojeve të ndryshme të cigareve elektronike që shfaqen në media dhe banderola publike . Ndalimet e reja, ende jo përfundimtare dhe objekt modifikimesh, mund të parashikohen në një projektligj të iniciuar nga qeveria, por teksti mund të përfshihet edhe në një dispozitë tjetër gjatë fazës së miratimit të saj.
Gjoba për shkelësit do jetë 275 euro, e reduktuar me 50% nëse paguhet brenda 60 ditëve.
I njëjti penalitet parashikohet edhe për ata që thyejnë ndalimin e pirjes tradicionale të duhanit në ambiente të mbyllura.
Të dhënat e "Raportit mbi duhanin në Itali" tregojnë se një në katër italianë pi duhan e thënë ndryshe 12.4 milionë qytetarë, pra 24, 2 përqind e popullsisë totale, ndërsa ata që përdorin cigaren elektronike janë 2.4%, kryesisht duhanpirës të rregullt.
