Ish-këshilltari i Trump, John Bolton, pranon fajësinë për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara

Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare, i presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton ka pranuar fajësinë për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, që lidhen me shënimet e përdorura për librin e tij me kujtime, raportoi BBC.
Bolton, i cili fillimisht ishte deklaruar i pafajshëm për 18 akuza, pranoi sot një akuzë të vetme, për ruajtje të informacionit të klasifikuar.
Dokumentet përfshinin shënime personale për informacione mbi mbrojtjen kombëtare, disa të klasifikuara në nivelin “top secret”.
Sipas medieve amerikane, ai rrezikon deri në pesë vjet burg, megjithëse marrëveshja për pranimin e fajësisë, mund ta ndihmojë të shmangë dënimin me burg.
Në seancën gjyqësore, Bolton pranoi se akuzat ishin të sakta dhe u shpreh i penduar për veprimet e tij.
Bolton u shkarkua nga administrata e parë e Trump në vitin 2019.
Më pas ai publikoi librin “The Room Where It Happened” (Dhoma ku ndodhi) ku kritikon ashpër ish-presidentin dhe zbulon detaje nga puna e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Hetimi ndaj tij, u hap pasi autoritetet dyshuan se në libër dhe në materiale të tjera ishin përfshirë informacione të klasifikuara.

