Irani paralajmëron tarifa për anijet në Ngushticën e Hormuzit, SHBA kundërshton planin

Ambasadori i Iranit në Pekin ka bërë të ditur se vendi po shqyrton vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës dhe gazit.
Sipas tij, masa e propozuar do të shoqërohej edhe me trajtim të veçantë për vendet që Teherani i konsideron aleate.
Ai ka shtuar se ky nuk do të ishte një taksim klasik, por një tarifë për shërbimet dhe monitorimin e kalimit në këtë zonë strategjike.
Plani është diskutuar në kuadër të një forumi ndërkombëtar në Pekin, ku Irani ka theksuar gjithashtu bashkëpunimin me Omanin për marrëveshje të reja lidhur me menaxhimin e ngushticës.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë idenë, duke e konsideruar të papranueshme për lirinë e lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nyje kyçe për tregtinë globale të hidrokarbureve, ku kalon një pjesë e madhe e eksporteve botërore të naftës dhe gazit.


